Ngjarje e rëndë në Tiranë, gardisti vret gruan (FOTO)

12 Shkurt 2019, 10:33 | Përditesimi i fundit: 2019-02-12 15:36:51

TIRANE-Shënohet një tjetër krim në familje. Një punonjës i Gardës së Republikës ka vrarë gruan me armë e shërbimit. Autori është Alket Arapaj 44-vjeç, ndërsa viktima është Ervilma Seferaj 36-vjeçe. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 06:00 të mëngjesit në banesën e tyre në Allias. Gardisti e ka qëlluar tre herë me armën e shërbimit gruan duke e lënë të vdekur në vend. Kanë qenë fqinjët që kanë lajmëruar policinë pasi dëgjuan të shtënat me armë zjarri dhe fëmijën duke qarë.

Pas ngjarjes, 44-vjeçari është arrestuar menjëherë nga shërbimet e policisë. Çifti ka një fëmijë, ndërsa nuk dihet se për cfarë ka qenë konflikti në familje që solli edhe ngjarjen e rëndë. Gardisti është me arsim të lartë ushtarak (1993-1997), me gradën Kapiten me 21 vite punë ne Gardën e Republikës. Në rrethin shoqëror dhe familjar Arapaj njihet si person i sjellshëm dhe praktikues i fesë Islame, ndërsa edhe gruaja ishte e mbuluar.

Alket Arapaj ishte i pajisur me armë e shërbimit tip pistoletë, të cilën në bazë të ligjit ka të drejtë ta mbajë me vete edhe jashtë orëve të shërbimit. Krimi në familje në Shqipëri ka marrë përmasa të frikshme, pasi vetëm në 40 ditët e para të këtij viti janë shënuar gjashtë viktima (lexo këtu). Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”.