Ngrihet SPAK, kush janë 8 prokurorët e parë që do të hetojnë zyrtarët e korruptuar dhe krimin e organizuar! Hapet gara për drejtuesin

25 Nëntor 2019, 16:06

Me 19 dhjetor, tetë anëtarët e “Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar” (SPAK), do të betohen para Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, e pas kësaj date ata do të marrin në dorë hetimin e dosjeve të zyrtarëve të lartë të korruptuar dhe krimit të organizuar.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në mbledhjen e ditës së sotme, emëroi me 11 vota Altin Dumanin, Arben Krajën, Behar Dibrën, Edvin Kondillin, Elida Celami(Kaçkini), Ened Nakuçin, Enkeleda Millonai, Klodian Braho, për të qenë anëtarë të kësaj strukture.

Anëtarët e SPAKU-t do të kenë një mandat 9 vjeçar, pa të drejtë emërimi, ndërsa është hapur gara edhe për drejtuesin e SPAK, dhe afati për zgjedhjen e tij është 15 ditë.

Për të zgjedhur drejtuesin e SPAK, Ibrahimi ka propozuar që çdo anëtar i KLP-së duhet të votojë duke shpjeguar pikëzimin e tij për çdo kandidat në një formular pikëzimi.

Prokurorët e SPAK mund të hetojnë që nga Presidenti, Kryeministri, ministri, deputetët e deri tek drejtuesit dhe zyrtarët e lartë të institucioneve të tjera në varësi të Qeverisë ose jo.

Kjo strukturë do të ketë ndihmën e një strukture tjetër hetimore që është Byroja Kombëtare e Hetimit, (BKH), anëtarët e të cilit janë hetuesit dhe oficerë të Policisë Gjyqësore. Drejtuesi dhe gjithë anëtarët e BKH kontrollohen nga prokurorët e posaçëm. Me ngritjen e SPAK-ut do të shkrihet Gjykata për Krime të Rënda, kompetencat e së cilës do t’u kalojnë gjykatave në rrethe.