Nis sot vaksinimi anti-COVID në Shqipëri! Rama: Faza ofensive e luftës për ta larguar virusin përfundimisht nga jeta

11 Janar 2021, 11:28 | Përditesimi: 11 Janar 2021, 11:45

TIRANË- Ditën e sotme do të nisë në Shqipëri vaksinimi i personave të parë anti-COVID! 11 janari i 2021 do të jetë një ditë shumë e rëndësishme për vendin në rrugën për t'i dhënë fund betejës disa mujore me COVID-19. Procesi do të nis pasditen e kësaj të hëne, teksa është parashikuar edhe një konferencë nga Ministria e Shëndetësisë ku do të japë më shumë detaje.

Nën moton 'Shqipëria buzëqesh", vaksinimi do të realizohet në stadiumin kombëtar 'Air Albania' me qëllim shmangien e grumbullimeve dhe radhëve të gjata! Në të gjithë ambientin e stadiumit janë vendosur 60 postacione ku do të kryhet vaksina dhe puna do të vijojë për 8-10 orë në ditë. Në total është parashikuar vaksinimi i 60 qytetarëve në orë.

Bluzat e bardha, që janë në vijën e parë të përballjes me COVID do të jenë të parët që do të vaksinohen, për të vijuar më pas me mësuesit, policët dhe moshat madhore mbi 75-vjeç. Zyrtarisht Shqipëria ka siguruar 500 mijë doza vaksine anti-COVID të Pfizer nga kompania BioNTech, teksa siç ka bërë të ditur më herët Rama, vijojnë bisedimet me Astrazeneca dhe Moderna. Një person do të marrë në total 2 doza.

Theksojmë se vaksinimi është falas dhe jo me detyrim.

b.ha./Shqiptarja.com