Nishani dhe kritikët e Bashës dalin para medias: Zgjedhjet s' mund të humbeshin! Dorëheqja e parevokueshme e Bashës është fillimi i ringritjes

6 Maj 2021, 15:53

TIRANË- Dorëheqja e parevokueshme e Lulzim Bashës nga kreu i Partisë Demokratike është fillimi i ringritjes së kësaj force politike. Ky është mesazhi i fortë i grupimit  “Për PD-në” i përbërë nga figura të rëndësishme për demokratët, mes tyre edhe themelues të kësaj force politike.

Bujar Nishani, Arben Imami, Edith Harxhi, Arben Ristani, Edvin Kulluri, Ibsen Elezi, Endira Bushati, Bislim Ahmetaj dhe Indrit Hoxha janë të mendimit se PD-ja nuk frymëzoi dhe zgjedhjet e 25 prillit nuk mund të humbeshin. Për pasojë, për këtë dështim bëjnë përgjegjës kryedemokratin Lulzim Basha e si rrjedhojë kërkojnë largimin e tij dhe hapjen e PD-së.Shqipëria u përball me zgjedhjet e përgjithshme të 25 Prillit, pas një qeverisje të korruptuar prej 8 vitesh, që e ka çuar vendin në varfëri. Ne jemi të vetëdijshëm që shitblerja e votës, përdorimi i administratës, përdorimi i të dhënave personale, ishin vetëm një pjesë e elementëve që përcaktuan rezultatin zgjedhor, por ne jemi po ashtu të vetëdijshëm që PD nuk arriti që të mundësonte mbështetje më të madhe. PD ka pasur rezultat të njëjtë me 4 vite më parë, PD nuk po garonte për vend të dytë, pjesëmarrja me 46% në zgjedhje është tregues domethënës që PD nuk frymëzoi, dhe as nuk siguroi mbështetje për fitore. Ne jemi të vetëdijshëm që përgjegjësia e zgjedhjeve i takon drejtuesve të Partisë. Ata duhet të marrin përgjegjësi për humbjen, pasi kanë shembullin e zotit Berisha. Dorëheqja e parevokueshme e Lulzim Bashës nga partia nuk është fundi i PD-së por fillimi i ringritjes së saj. Mospjesëmarrja në Reformën territoriale, në zgjedhjet lokale, dalja nga parlamenti, ishin gabime të PD-së. Marrëveshja e 5 Majit, megjithë pasojat e saj, dëmtoi në mënyrë të pakthyeshme PD-në dhe aleatët, brenda partisë kryetari nuk mbajti përgjegjësi për humbjen e 2017. Në 2019 u përjashtuan nga Kuvendi të gjithë ata që kishin kundërshtuar vendimmarrjen, sërish lista ishte ajo e kryetarit. Kryetari nuk kishte mësuar asgjë nga humbja e 2017-tës", thuhet ndër të tjera në deklaratë.