Nishani në Report Tv: S’iki nga PD! Propozimet e Bashës për statutin, dashakeqe, po kthen partinë në zyrë personale e Këshillin Kombëtar nga vendimmarrës në organ këshillues

14 Korrik 2021, 13:28 | Përditesimi: 14 Korrik 2021, 15:30

Joserioze e dashakeqe I cilëson Bujar Nishani propozimet e Bashës për ndryshimet në statut, që sipas tij synojnë të kthejnë këshillin kombëtar në organ këshillues. Për Report Tv Nishani thotë se nuk largohet nga PD edhe nëse Basha e shkarkon dhe thotë se ai jo vetëm që s’ka vullnet për reformimin e partisë, por po e kthen atë në zyrë personale. Kryetari i Këshillit Kombëtar në PD, Bujar Nishani nuk e sheh fatin e tij në parti të lidhur me vendimet e Lulzim Bashës, pasi siç theksoi ai ka në parti shumë vite para dhe se në të ka hyrë pasi ka besuar në parimet dhe vlerat e saj dhe jo për të marrë poste. Në një intervistë për Report Tv me gazetaren Danjela Maloku, i pyetur nëse do të ikë nga partia, në qoftë se Basha e largon nga kreu i Këshillit Kombëtar me ndryshimet e reja që pritet të bëhen në Kuvendin Kombëtar të PD më 17 korrik, Nishani ishte i prerë se nuk largohet nga PD dhe se nuk do i bashkohet asnjëherë asnjë partie tjetër, pavarësisht se çfarë vendos Basha

KT/Shqiptarja.com