Një ditë pas bllokimit të fluturimeve, mbërrijnë 100,000 vaksina të tjera anti-COVID

8 Prill 2021, 16:40 | Përditesimi i fundit: 2021-04-08 17:20:20

Me nisjen e fluturimeve pas 24 orësh bllokimi të aeroportit të Rinasit, këtë pasdite është ulur avioni i parë në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”  me vaksina anti-COVID.

Kanë mbërritur në Rinas 100 mijë doza të vaksinës kineze, ndërsa ngarkesa erdhi me një ditë vonesë, pasi ishte planifikuar të mbërrinte ditën e djeshme, por u pezullua si pasojë e ndalimit të fluturimeve në aeroportin në aeroportin në Rinas.

Dërgesa e vaksinave u prit nga Ministrja e Transporteve Belinda Balluku, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj.

Manastirliu u shpreh se për shkak të bllokimit të djeshëm të fluturimeve në Rinas, që penguan edhe ardhjen e vaksinave, plani i vaksinimit masiv është shtyrë me 48 orë, për shkak të procedurave që do të duhej të ishin bërë një ditë më parë. Ndërkohë, Ahmetaj dha lajmin e mirë se javën tjetër, të hënën ose të martën, do të mbërrin edhe 100 mijë doza të tjera të vaksinës kineze dhe s epo negociohet për 50 mijë doza të vaksinës ruse, që do të vijnë në javët në vijim.  

Ditën e sotme, pas Tiranës, u ngrit në Durrës një çadër e madhe për vaksinimin e personave mbi 65-vjecc.

Vaksinimi masiv në vend ka nisur që prej 28 mars dhe po vijon me ritme mjaft të shpejta, ndërsa Barometri global e renditi Shqipërinë në vendin e parë për ritmin e vaksinimit në 7 ditët e fundit, duke lënë pas edhe Serbinë në rajon, por edhe vende të Bashkimit Evropian, të cilat e nisën më herët vaksinimin.