Një plumb pas veshit e një në zemër, si u vranë në 2 sekonda dy vëllezërit Olldashi! U vunë mbi njëri-tjetrin dhe i mbuluan me dhe

22 Dhjetor 2020, 21:35 | Përditesimi: 22 Dhjetor 2020, 21:35

Zbardhen detaje të reja lidhur me vrasjen e dyfishtë të 2 vëllezërve Andrea dhe Martin Olldashi, në Maliq të Korçës. “Shqiptarja.com”, ka mundur të sigurojë dokumente që tregojnë se dy vëllezërit një ditë para se të humbnin kontaktet me familjen e tyre, kanë biseduar me 11 persona, shtetas këta që janë shoqëruar në polici dhe u është marrë deklarim, si individë që kanë dijeni mbi ngjarjen.

Mes personave që janë marrë në pyetje është dhe e dashura e njërit prej vëllezërve Olldashi, me iniciale K.Hoxha, e cila nuk ka dhënë fakte në interes të këtij hetimi. Ndërkohë gjatë kësaj faze nga data 8 dhjetor 2020 kur është zbuluar ngjarja dhe deri më sot, janë marrë në pyetje lidhjet shoqërore të 2 viktimave si I.B, E.N, D. D, si dhe dy kushërinjtë e vëllezërve të vrarë, shtetasit A.O dhe A.O.

Gjithashtu në pyetje është marrë dhe nëna e dy viktimave, e cila në mëngjesin e 8 dhjetorit 2020, ka denoncuar zhdukjen e djemve të saj. Sipas të ëmës, djemtë kishin munguar gjatë ditës dhe natës së datës 7 dhjetor dhe për këtë kishte menduar se mund ti kishte ndodhur diçka e keqe.

Sipas dokumentacionit që siguron “Shqiptarja.com”, trupat e dy vëllezërve Olldashi janë gjetur në rrethinat e fshatit Çaushli, në afërsi të “Kishës së Vogël”. Në një kanal vaditës, gjendeshin të shtrirë dhe të mbuluar me një masë dheu, trupat e 2 vëllezërve.

Trupi i pajetë i Martin Olldashit, gjendej i vendosur mbi trupin e vëllait të tij, me fytyrë nga njëri-tjetri. Ndërsa trupi i pajetë i Andrea Olldashit, ishte i shtrirë në tokë dhe mësohet se ka qenë pikërisht dora e tij e majtë, e cila është zbuluar fillimisht nga një fshatar i zonës. Ky i fundit i është afruar vendit dhe pikërisht kur ka zbuluar dheun, ka vërejtur 2 persona të pajetë.

Të dy viktimat rezulton të mos jenë grabitur, pasi sendet personale, orë, telefon, një paketë cigareje dhe sasinë e parave prej 6250 lekë të vjetra e kishin me vete. Në xhupin e Andrea Olldashit, u gjendën një palë doreza sintetike me ngjyrë të zezë, sende të cilat janë çuar të gjitha për ekzaminim. Ndërkohë të dy trupat e pajetë janë qëlluar me pistoletë nga një distancë e afërt, ku Martin Olldashi është qëlluar nga pas koke, pranë veshit të majtë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Ndërkohë në vendgjarje, policia gjeti 4 gëzhoja. Hetuesit thonë se e gjitha ngjarja ka ndodhur në 2 sekonda. Ndërsa vëllai tjetër, Andrea është qëlluar një herë të vetme me armë zjarri në zemër. Të dy vëllezërit ishin me precedente penale dhe informacionet policore i tregojnë si individë që kishin tendencë në kryerjen e veprave penale të Kultivimit dhe tregtimit të lëndëve narkotike dhe trafikimit të emigrantësve sirianë.

b.ha./Shqiptarja.com