VLORE- Njësia e re për anti-korrupsion dhe anti-evazion e paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij në SHBA është në krijim e sipër. Kjo ka qenë deklarata e ministrit të Brendshmë Sandër Lleshaj i cili ishte sot në Prefekturën e Vlorës ku adresoi disa problematika të rendit dhe sigurisë. Lleshaj tha se lufta kundër krimit nuk do të ketë kufizime gjeografike dhe do të shtrohet në të gjithë territorin e Republikës.
"Njësia është në krijim e sipër, sepse nuk mund të them se si do të jetë trajta përfundimtare e saj por bëhet fjalë për krijimin e një strukture, e cila do të adresojë me theks të veçantë krimin ekonomik dhe korrupsionin, dy fusha të cilat meritojnë qasje të re. Vetëm kaq mund të them sot. Kur të formalizohet do të dini detajet. Lufta kundër krimit nuk ka kufizime gjeografike, ajo do të shtrihet në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.