Nuk mjafton ushtria dhe gjobat! Shqiptarët të pandërgjegjësuar dhe të pabindur

20 Mars 2020, 19:06

Shqiptarët nuk ndërgjegjësohen nga rreziku i koronavirusit. Nga Tirana, në Shkodër, Vlorë, Korçë, Elbasan dhe qytete të tjera të vendit, Report Tv bëri një vëzhgim  nga ora 16:00 që shënoi nisjen e fashës së dytë të lejimit të lëvizjes së qytetarëve nga shtëpia për të dalë për pazaret, blerë ushqimet, për të shkuar në farmaci apo për nevoja të tjera personale. Panorama ishte zhgënjyese dhe e frikshme. Ndërgjegjësimi ashtu si paradite ishte zero. Njerëzit nuk lëviznin në mënyrë individuale sikur lejohet, por të shoqëruar, madje edhe me familjen në disa raste në shëtitje dhe grupe- grupe. Në orën 18:00 përfundoi orari i lejes për të lëvizur dhe qytetarët u futën të gjithë në shtëpi. Pra problemi ishte mënyra e lëvizjes në fashën e lejuar të orarit. Nga nesër qytetarët do të kenë vetëm 8 orë kohë për të dalë në mëngjes nga 05:00-13:00 për të bërë pazaret, ndërsa e diela do të jetë absolutisht e ndaluar për të dalë nga shtëpia deri të hënën në orën 05:00.Në Shkodër pavarësisht thirrjeve të shumta dhe të përsëritura nga të gjitha institucionet vendore e qendrore, ushtrisë e policisë në rrugë dhe gjobat qytetarët nuk janë bindur, pasi kanë dalë në xhiro me biçikleta pa respektuar distancën mes njëri tjetrit duke dalë të gjithë grupe-grupe. Përballë kësaj situate policia dhe ushtria kanë ndërhyrë në hyrje të pedonales duke bllokuar xhiron e zakonshme, pasi orari nga 16:00-18:00 nuk është për shëtitje dhe aq më tepër në grupe- grupe pa respektuar distancën mes njëri tjetrit por për të kryer nevojat dhe për t'u rikthyer sërish brenda. Policia e Shkodrës ka gjobitur tre qytetarë dhe një lokal për shkelje të masave të përcaktuara për koronavirusin. Lokali është gjobitur për shkak se ka hapur dyert, ndërsa qytetarët për thyerje të urdhrit të lëvizjes.