Kryeministri Edi Rama gjatë pritjes zyrtare me rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit zbuloi edhe axhendën e prioriteteve që do të ketë vendi ynë, që sipas kreut të qeverisë do të pasurojnë disa vlera.
Rama tha se së pari do të fokusohen tek çështja e barazisë gjinore, duke kujtuar se jemi renditur ndër 10 vendet e para të botës sa i përket barazisë gjinore në qeveri. Rama tha po ashtu se Shqipëria ka të drejtën që të dëgjohet sa i përket tolerancës fetare, por edhe për mbështetjen e pakushtëzuar në luftën kundër terrorizmit. Një tjetër pikë që nënvizoi kryeministri Edi Rama kishte të bënte me përpjekjet për sigurinë e mjedisit dhe kundër ndryshimeve të klimës. Rama përsëriti se Shqipëria është krenare që renditet si një aleate e palëkundur e SHBA-së dhe BE-së.
















