Nuk u vetëkarantinuan, gjobiten 700 mijë lekë 3 'të pabindurit' e parë në Dibër, Pogradec dhe Durrës!

17 Mars 2020, 15:02

TIRANË- Gjobë 700 mijë lekë për tre persona në Dibër, Durrës dhe Pogradec, të cilët ndonëse kishin ardhur nga zonat e prekura me koronavirus, nuk ishin vetëkarantinuar në shtëpi, por lëviznin të lirë. Në Dibër është një 29-vjeçar me inicialet E.S, i cili kishte një histori udhëtimi nga Italia. Ai kishte ardhur në datën 3 mars, por vijonte të lëvizte i lirë në fshat edhe pse ishte paralajmëruar më herët nga policia me anë të mesazheve nga policia që të vetëkarantinohej.

Në Pogradez, personi i ndëshkuar ka thyer njëherazi dy urdhra, atë të vetëkarantinimit dhe lëvizjen me makinë pa marrë një autorizimi. Ai kishte ardhur në datën 6 mars nga Italia dhe vijonte të lëvizte në qytet, ndonëse duhej të qëndronte në shtëpi, dhe mbi të gjitha me makinë pa marrë një autorizim. Për pasojë është gjobitur 700 mijë lekë dhe i merret makina. Edhe në Durrës është një person i ndëshkuar.

Ndërkohë që tre shoferë të tjerë janë ndëshkuar se lëviznin me makinë pa autorizim, duke iu marrë patenta për 3 vite. Gjithashtu është ndëshkuar edhe një pronar lokali që vijonte ta mbante të hapur biznesin e tij, duke thyer urdhrin. Sipas aktit normativ ai gjobite me 2 mln lekë.  

Të gjithë të ardhurit nga Italia dhe zonat e tjera të prekura janë të detyruar që të vetëkarantinohen në shtëpi, me qëllim parandalimin e përhapjes së koronavisurit. Janë 117 mijë të ardhur nga zonat e kuqe, referuar shifrave zyrtare, të cilët do duhet të vetëkarantinohen. Atyre u dërgohet një mesazh në celular dhe janë marrë në celular që u kërkohet të vetëkarantinohen, për ata që nuk zbatojnë urdhrin, sipas aktit normativ të miratuar së fundmi, do të ndëshkohen me gjobë.