Numërimi i votave për anëtarët e Këshillit Kombëtar, Jemin Gjana: Votuan gati 70% e delegatëve të Kuvendit! Rezultatin e nxjerrim pas mesnate

17 Korrik 2021, 21:45 | Përditesimi: 17 Korrik 2021, 21:45

Kryetari i Komisionit Zgjedhor brenda PD, Jemin Gjana, dha të dhëna në lidhje me votimin dhe numërimin e votave për anëtarët e Këshillit të ri Kombëtar në PD. Në një deklaratë për mediat, ai u shpreh se morën pjesë në votime 69.8% e numrit të delegatëve të Kuvendit Kombëtar, ndërsa rezultati pritet të dalë pas mesnate. "Na rezulton se numri i delegatëve gjithsej është 7646 delegatë. Në raportimet që u morën, në çelje të punimeve të Kuvendit kanë qenë të pranishëm 5703 nga delegatët e kësaj liste. Pas përpunimit të proceverbaleve të mbylljeve të kutive të votimit, kanë marrë pjesë në votim 5339 delegatë, pra gati 69.8% e numrit të delegatëve të Kuvendit Kombëtar. Po vazhdon procesi i numërimit në të 14 komisionet, është një proces i gjatë, por shpresoj se sonte pas mesnate do të nxirret lista përfudnimtare me 300 emra, ku 90 minimalisht do të jenë zonja dhe zonjusha, 45 nga anëtarë e forumit rinor të PD dhe pjesa tjetër djem dhe burra që janë pjesë e këtij numri prej 300 anëtarësh", tha Gjana.

LR/Shqiptarja.com