'Nxori në pritë Azem Hajdarin', Klosi i përgjigjet Berishës: Vdekja e tij i interesonte Saliut

29 Shtator 2020, 23:43

Absurditet që nuk ja vlen të merresh me deklarata të tilla i ka cilësuar Fatos Klosi akuzat e drejtpërdrejta të bëra nga ish kryeministri Sali Berisha një ditë më parë se ishte ai që nxori në pritë Azem Hajdarin, i cili u vra mbrëmjen e 12 shtatorit 1998.

I ftuar në emisioni "Repolitix", Fatos Klosi tha se Berisha ka 22 vite që bën deklarata të tilla, ndërsa shtoi se nëse kjo do të ishte e vertetë atëherë implikohet direkt Fatos Nano, pasi ishte kryeministri dhe se Klosi, vartësi  i tij si kreu i Shërbimit Sekret informativ.

"Në 22 vjet e kemi diskutuar kaq shumë këtë ngjarje sa s'ka mbetur gjë për të thënë. Më mirë do të ishte të mos reagoja fare. Habitem me median që merren me të dhe i kushtojnë kaq shumë rëndësi. Ky është problemi themelor që ai lejohet në media prej 22 vitesh të thotë ç'të dojë. I persekutuar në këtë deklaratë që ka bërë Berisha, është Fatos Nano jo unë. Unë isha vartës i Nanos. Nëse unë kam marrë përsipër një gjë kaq të madhe që është praktikisht e pamundur ta bëjë shteti, por nëse ka ndodhur atë e ka bërë Fatos Nano jo unë, se si ishte kreu i  shtetit", tha Klosi.

Se kujt i intereson vrasja e Azem Hajdarit, Fatos Klosi drejtoi gishtin nga Berisha për shkak të përplasjeve të brendshme që kishte me Azemin. Klosi rendi disa fakte kur tha se Shkodra e përdori vrasjen e Azem Hajdarit si pretekst për të bërë kryengritje dhe sjellë armatime në Tiranë, armatim i cli u fit brenda PD që të përdoren për rrëzimin e qeverisë.

"Problemi është shumë i qartë kush përfitoi nga kjo ngjarje dhe kush e shfrytëzoi më shumë këtë ngjarje. Qeveria nuk përfitoi se një javë më pas kryeministri dha dorëheqjen. Është absurde që qeveria t'ia bëjë vetës këtë që të krijojë incidente për të dhënë dorëheqjen dhe nga kjo ngjarje iku Kryeministri....Në komisionin parlamentar, Berisha tha që ishte Skënder Gjinushi. U përgjigj ai. Më pas tha Rexhep Mejdani që të zgjidhej sërish President. Unë kam menduar që u ka interesuar atyre që kanë pasur diçka. Ka nisur si hakmarrje. U interesonte dhe atyre që kanë pasur përplasje. Si Berisha... Në debatin që patëm bashkë se Berisha ka gisht. Ne kishim informacione që në Shkodër po bëhej kryengritje. Për këtë kishim shumë informacione dhe këtë kishim lajmëruar policinë. Problemi ishte se si do niste. Të parat ishin për shkak të disa incidente. Kjo ishte një kryengritje që parashikohej të vinte në Tiranë. Këtë e kishim të konfirmuar. Vrasja e Azem Hajdarit u përdor si pretekst. Erdhën njerëzit me armatime. Ky armatim u fut brenda PD-së, e drejtonte PD-ja. Qëllimi ishte të rrëzonte qeverinë", tha Klosi.