OFL i kërkon llogari për pasurinë 'Baronit të drogës' dhe dy personave të tjerë

5 Qershor 2020, 14:53

Operacioni Forca e Ligjit ka zbarkuar në Kurbin dhe në Lezhë, ku i është dërguar formulari për të deklaruar pasurinë tre personave, të akuzuar për shfrytëzim prostitucioni, trafikim të lëndëve narkotike dhe vrasje.

I pari në listë është Gëzim Çelaj, i njohur edhe si "Baron Dorge", i cili sipas policisë është i dënuar për veprën penale  “Shfrytëzim prostitucioni” . Por sipas burimeve, ai është i dënuar për trafik droge nga Krimet e Rënda, por vijon të jetë i lirë.

I dytë është Arben Prendi banues në Lezhë, i dënuar me 9 vite burg për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”.Ka qenë pjesë e një operacioni antidrogë të goditur nga policia në vitin 2016. Ky rrjet trafiku drejtohej nga Jurgen Molla dhe Prendi kishte rolin e korrierit, që bënte transferimin e drogave kryesisht nga Kosova në Shqipëri.  

Personi i tretë është Perikli Marku banues në Lezhë, i dënuar për veprën penale “Vrasja në rrethana cilësuese”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.