Operacioni antidrogë në Vlorë/ Sot jepet masa e sigurisë për 9 të arrestuarit e tjerë

18 Dhjetor 2020, 12:18 | Përditesimi i fundit: 2020-12-18 18:03:19

Mbahet sot seanca e vlerësimit të masës së sigurisë për 9 persona nën hetim lidhur me operacionin antidrogës në Vlorë. Mes tyre edhe një i mitur në gjykatën e  Vlorës.

Gjyqtarja Elona Mihali tha se grupet do të ndahen nga tre persona, ndërsa shpallja e vendimit do të bëhet bashkarisht për të gjithë.

Konfirmimi i masës së sigurisë bëhet aktualisht edhe për 5 efektivë të policisë së Himarës.

2 ditë më parë Gjykata ka dhënë masat për 32 prej të arrestuarve lidhur me operacionin. Masa "arrest me burg" është dhënë për 27 prej tyre, kurse 5 të tjerë janë lënë në "arrest shtëpie". Në "arrest shtëpie" është lënë Ismet Hyseni i cili ka shfaqur shenja të COVID në seancë si dhe 4 të tjerë që janë shpallur në kërkim. Në këtë seancë është dhënë masa e sigurisë edhe për një efektiv policie.

Operacioni është finalizuar në orët e para të mëngjesit të 14 dhjetorit në Vlorë e Tepelenë. Gjatë këtij operacioni janë arrestuar dhe disa efektivë policie të cilët janë implikuar në këtë aktivitet kriminal.

“Shqiptarja.com” mësoi se zanafilla e këtij hetimi ka qenë pikërisht kultivimi i një parcele me plot 6790 rrënjë kanabis, parcelë e cila solli reagimin e Ardi Veliut, i cili urdhëroi pezullimin e 12 efektivëve të policisë dhe për 10 punonjës të tjerë u vendos masë disiplinore. Parcela e zbuluar në fund të muajit shtator 2020, ishte në një teren të sheshtë dhe shumë e dukshme nga syri i njerëzve, pasi ndodhej buzë një rruge, pranë një stani.