Operacioni masiv anti-kanabis në Krujë, 16 të arrestuar, në kërkim 24 persona! Digjen 20 mijë bimë

30 Maj 2021, 14:30 | Përditesimi: 30 Maj 2021, 14:30

KRUJË- 16 persona janë arrestuar, 24 janë janë shpallur në kërkim dhe tre të tjerë janë proceduar penalisht në operacionin e koduar “Agimi”, të zhvilluar në zonat e Niklës, Halil dhe Arramerras të rrethit Krujë, për parandalimin e kultivimit të kanabisit, të akuzuar për veprën penale "Kultivimi i bimëve narkotike" në bashkëpunim.

Bazuar në të dhënat e mbledhura nga monitorimet me drone të kryera nga Policia e Shtetit dhe nga ajri të kryera me avion nga Guardia di Finanza, si dhe mbi bazën e informacioneve policore të marra më parë, shërbimet e policisë kontrolluan sera, magazina, banesa e zona të pyllëzuara.

Gjatë kontrolleve u sekuestruan 20 mijë rrënjë kanabis sativa, një laborator që shërbente për kultivim të bimëve narkotike me anë të ngrohjes me llampa, kubikë dhe fidanë canabis, 5 automjete dhe prova të tjera materiale.

Në pranga të policisë kanë përfunduar jo vetëm persona që dyshohet se kanë kultivuar lëndë narkotike, por edhe një punonjës i OSHEE-së dhe kryeplaku i fshatit Halil, Flamur Halili, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre.

b.ha./Shqiptarja.com