Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas miratimit të draft-opinionit nga Komisioni i Venecias për Vettingun në politikë. Në dokumentin final, Venecia rrëzoi pretendimet e opozitës (Lexo këtu) duke i konsideruar propozimet e PD dhe LSI si problematike sa i takon respektimit të të drejtave të njeriut.
Rama thotë në reagimin e tij se maxhoranca e kishte paralajmëruar opozitën këtë nismë, por sipas tij kreu demokrat nuk vuri mend por shkoi dhe u "mbyt" në ujin e Venecias.
"Eh Artist, s'më vjen mirë për ty, po ti s've mend! Vate e u mbyt në ujin e Venecias edhe Gjojavetingu yt, një nga ato manovrat e tua në xunkth që e kanë bërë PD aq shumë joserioze në sytë e njerëzve, sa jeni hedhur në ilegalitet për të penguar Dialogun mes studentëve e qeverisë", shkruan kryeministri Edi Rama.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha duket se e ka lexuar ndryshe vendimin e Komisionit të Venecias ndaj variantit të propozuar nga PD dhe LSI-ja për Vettingun në Politikë.
Në një postim në rrjetin social “Twitter”, Basha shpreh mirënjohjen e tij karshi Komisionit të Venecias dhe shkruan më tej se tanimë asgjë nuk e shpëton hajdutin psiqik nga Vettingu i politikanëve.“Koha kur politikanët janë mbi ligjin po mbaron!”- shkruan në përfundim të statusit të tij Basha.