Opozita fund bojkotit, nis tryeza e OSBE-së për reformën zgjedhore

25 Shtator 2019, 09:47 | Përditesimi i fundit: 2019-09-25 19:35:00

TIRANE-Prezenca e OSBE-së në Shqipëri po zhvillon sot tryezën për reformën zgjedhore, ku është e pranishme edhe opozita jashtëparlamentare e përfaqësuar nga ekspertët e zgjedhur nga PD, LSI dhe PR. Fjalën hyrëse në këtë tryezë po e mban ambasadori i OSBE-së në Tiranë Bernd Borchardt dhe më pas dy bashkëkryetarët e komisionit për reformën zgjedhore Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari. Përfaqësuesit e opozitës në nivel teknik janë Ivi Kaso nga Partia Demokratike, Muharrem Caka nga LSI-ja dhe Arjan Madhi nga Partia Republikane.

Fillimisht lideri demokrat e refuzoi ftesën e kryeministri Rama, por pas ultimatumit nga SHBA, përmes të dërguarit special për Ballkanin, ndryshoi kurs duke thyer bojkotin. Dje Basha vendosi që të marrë pjesë në tryezën në nivel ekspertësh.OSBE ka ftuar në tryezë të gjitha partitë politike, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Komisionin e Venecias. Reforma Zgjedhore është prioriteti kryesor i ndërkombëtarëve aktualisht në Shqipëri, pas miratimit të reformës në drejtësi. Ndërkohë që pikërisht kjo reformë, ishte edhe një nga nëntë kushtet e vendosura nga Gjermania që dha dje 'ok' për negociatat.