Opozita në protestën e 9-të kombëtare kundër qeverisë

21 Qershor 2019, 19:19 | Përditesimi i fundit: 2019-06-22 11:39:03

Opozita sonte në orën 20:00 do të zhvillojë protestën e nëntë kombëtare përpara Kryeministrisë kundër qeverisë Rama. Tubimi vjen në një situatë tejet të tensionuar pas nxjerrjes së përgjimeve nga gazeta gjermane Bild dhe sulmeve ndaj KZAZ-ve nga zyrtarë të bashkive të drejtuara nga opozita dhe militantët, ndërsa shumica shprehet e vendosur për të zhvilluar zgjedhjet, pavarësisht se Presidenti Ilir Meta anuloi dekretin për 30 Qershorin.

Ende nuk dihet skenari i opozitës, por Lulzim Basha ka deklaruar se nuk do të ketë dhunë dhe se në protestë do të jetë së bashku me gruan dhe dy vajzat.  "Të gjithë bashkë sonte në orën 20:00, si njerëz të lirë, si qytetarë me dinjitet, si shqiptarë kurajozë, prindër, motra, vëllezër, bij e bija shqiptarësh, në manifestimin kombëtar të vullnetit tonë të pakthyeshëm për Shqipërinë si gjithë Europa!

500 mijë shqiptarë jetojnë si azilkërkues rrugëve të Europës. 450 mijë shqiptarë janë të papunë. Ndërsa: 2 miliardë euro janë harxhuar për 14 konccesione korruptive. Boll më me Shqipërinë që duan ata! Është koha për Shqipërinë e gjithë shqiptarëve! Asnjë hap pas! Shqipëria Si Europa" ishte thirrja e Lulzim Bashës për qytetarët.