Opozita thyen bojkotin, të enjten në Kuvend, Kryemadhi: Nuk do ta lëmë Ramën të tallet me studentët

18 Dhjetor 2018, 16:08

TIRANE-Opozita do të rikthehet në Kuvend në seancën e së enjtes së kësaj jave pas pesë muajsh duke thyer bojkotin e nisur që në datën 23 korrik të këtij viti. E ndërsa një pjesë e deputetëve e shpëtuan mandatin në seancën e kaluar (lexo këtu), pjesa tjetër e grupit të PD dhe LSI-së afatin e fundit e kishte në 23 janar të vitit tjetër, pasi në të kundërt do të humbnin mandatet (lexo këtu).

Por kryetari i PD, Lulzim Basha u ka komunikuar sot aleatëve opozitarë vendimin për thyerjen e bojkotit dhe rikthimin në seancat e së enjtes dhe të premtes në Kuvend. Në përfundim të takimit me Bashën në selinë blu, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka deklaruar se “nuk do të lejojmë që Rama të tallet me studentët”.“Ne të rikthyer në parlament jemi, nuk kemi ikur ndonjëherë. Do të jemi në seancë për ata studentë që Rama tallet dhe i manipulon. Nuk i ka bërë Rama ditët dhe nuk është aq i zoti, se nuk është as doktor shkencash as piktor, por një kryeministër i lidhur me krimin, që vjedh paratë e studentëve për xhepat e tij.

Nuk mund të rrijë si fëmijët e qeveritarëve dhe të vetët duke vjedhur bukën dhe kafshatën e fundit të studentëve” tha ajo. Ditën e enjte në Kuvend shumica pritet që të rrëzojë dekretin për buxhetin që riktheu Presidenti Meta, ndërsa të premten deputetët do të mblidhen për draftin e PD-së për vettingun në politikë, të cilin e rrëzoi Komisioni i Venecias.