Loja e bojkotit/ Më 23 janar digjen mandatet e PD, 8 deputetët që shpëtojnë

Loja e bojkotit/ Më 23 janar digjen mandatet e PD, 8 deputetët që shpëtojnë

Data 23 janar 2019 shënon afatin e fundit për vlefshmërinë e mandateve të përfaqësimit të Partisë Demokratike në Parlament. Nëse deputetët e Partisë Demokratike nuk shfaqen deri në 23 janar në Kuvend, pas kësaj date, ata humbasin mandatet. Partia më e madhe në opozitë ka nisur bojkotin e Kuvendit që në datën 23 korrik të këtij viti.

Në seancën plenare të 23 korrikut, e cila ishte e fundit për sesionin e kaluar parlamentar, nuk figuron që të ketë marrë pjesë asnjë deputet i PD, duke shënuar kësisoj fillimin e bojkotit. Por, në këtë seancë, ndryshe nga PD, kanë marrë pjesë deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, ndonëse më pas u larguan nga salla pas thirrjes së deputetit Luan Rama për konsensus për ligjet e reformës në drejtësi. Nga data 23 korrik deri në 3 shtator nuk është zhvilluar asnjë veprimtari parlamentare, për të shënuar fillimin bojkotit të deputetëve të LSI. Për rrjedhojë, deputetët e LSI kanë fituar 40 ditë kohë.

Ndërkaq, kryetari i opozitës, Lulzim Basha, ka deklaruar se nuk do të ketë kthim në një Kuvend, sipas tij, i lidhur me krimin. “Nuk ka për të patur asnjë lloj kompromisi pa pastruar politikën nga krimi. Kompromis me krimin nuk mund të bëjmë, ndaj u bëjmë thirrje të gjithëve, edhe atyre që bëjnë sikur nuk dëgjojnë se: Kthim në parlamentin e lidhur me krimin nuk ka e nuk do të ketë. Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë se standardi që miratuan për prokurorët dhe gjyqtarët”, tha Basha. Kreu i PD ka lënë të kuptohet se kushti i vetëm për rikthimin në Kuvend është Vetingu në politikë. Por fati i draftit të PD për Vetingun në politikë do të përcaktohet nga përgjigja e Komisionit të Venecias. Për rrjedhojë, publikimi i opinionit të Komisionit të Venecias mund të shënojë edhe fundin e bojkotit të opozitës.

Deputetët që shpëtojnë
Jo të gjithë deputetët e opozitës humbasin mandatin në datën 23 janar 2019. Katër deputetë të Partisë Demokratike rezultojnë se kanë marrë pjesë në datën 3 shtator 2018 në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve në Kuvend. Ata janë kryetari i grupit parlamentar të PD, Edmond Spaho, nënkryetari i Kuvendit Edi Paloka, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Republikane Fatmir Mediu dhe kryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik Albana Vokshi. Për shkak të pjesëmarrjes në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, mandatet e tyre digjen në fillim të muajit shkurt, gjithnjë nëse nuk i japin fund bojkotit. Në këtë mbledhje ka marrë pjesë edhe kryetari i grupit të LSI, Petrit Vasili. Ndërkaq, deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, e ka shpëtuar mandatin e tij edhe për 6 muaji të tjerë, pasi është shfaqur në datën 27 nëntor 2018 në Komisionin për Politikën e Jashtme, në Kuvendin e Shqipërisë. Mandatet i kanë shpëtuar edhe dy deputetë të LSI, Edmond Haxhinasto dhe Edmond Panariti, të cilës janë shfaqur gjithashtu në Komisionin për Politikën e Jashtme, në datën 27 nëntor.

Llogaritja
Shkronja ‘a’ e pikës 2 të nenit 71 të Kushtetutës parashikon që mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend. Sipas përllogaritjeve, ky afat plotësohet në datën 23 janar, gjithnjë nëse opozita nuk do t’i japë fund bojkotit. Ish-kreu i KQZ, Kristaq Kume, u shpreh në fund të javës që kaloi në Report Tv, se në afatin 6 mujor llogaritet edhe periudha kur Parlamenti është pushim. “Opozitës po i afrohemi 6 mujorit i cili sipas kuadrit ligjor në fuqi, referuar kushteve të ndërprerjes së mandatit, jemi tamam në kohën kur po i afrohemi. Nuk mund të veprohet ndryshe veçse të ndërpritet mandati nëse nuk merr pjesë në seancë ose komisionet parlamentare. Numërohet 6 muaj me të shtunat dhe të dielat, përfshirë edhe ditët e pushimit”, tha Kume.

Deputetët që shpëtojnë

  1. Edi Paloka
  2. Edmond Spaho
  3. Fatmir Mediu
  4. Albana Vokshi
  5. Tritan Shehu
  6. Edmond Haxhinasto
  7. Edmond Panariti
  8. Petrit Vasili

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • k.k: 04/12/2018 10:27

    Normale...si te gjithe punonjesit e shtetit apo privatit qe nuk paraqiten ne pune ne detyren qe ju eshte caktuar marrin penalizimin ne pagese, i njejti standard duhet te jete i vlefshem edhe per keta "te madherishmit e opozites" qe nuk shkojne ne parlament te perfaqesojne popullin qe i ka votuar por zgjedhin te bejne gangsterrin rrugeve te kryeqytetit me gjoja hallet e popullit. Cdo shkelje e ka nje kufi tolerimi e nese keta deputete vazhdojne te mos paraqiten atje ku detyra i therret, ne parlament le ti humbin mandatet e tyre dhe le ta hane turpin me buke si i thone nje fjale...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë