Pa kushte kundër COVID-it! Mbyllen 22 fasoneri në Krujë mes tyre edhe vatra kryesore ‘Endi shpk’ që infektoi 80%, por s'u gjobit

23 Prill 2020, 15:36

TIRANE- Sot janë shënuar 7 raste të reja me COVID-19 në Krujë, ndërsa 22 nga 27 fasoneri janë mbyllur në këtë bashki në total në ditët e fundit për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi dhe vetëm 5 prej tyre vijojnë punën, por me staf shumë të reduktuar. Një pjesë nga 22 fasoneritë janë mbyllur nga Inspektorati Shëndetësor Shtetëror dhe pjesa tjetër i kanë mbyllur vetë pas paralajmërimeve të forta nga kryeministri Edi Rama për gjobitje, mbyllje të aktivitetit dhe deri në ndjekje penale nëse do të kapen me shkelje.

Nga 22 fasoneritë e mbyllura, njërës ia vendosi sot kyçin ISHSH për mos garantim të kushteve higjieno sanitare. Fasoneria që është mbyllur sot është “Fat&Xhaj” me pronar Ardit Kaun dhe ndodhet në lagjen grumbullimi në Fushë-Krujë. Vendimi për mbylljen u shoqërua edhe me një gjobë  300 mijë lekë. Ndërkohë që fasoneria “NPB” që ndodhet në lagjen nr. 4 në Krujë po sot u gjobit me 100 mijë lekë për mos respektim të distancës në automjetin e punëtorëve. Report Tv siguroi pamjet si bëhet transporti i punëtorëve nga kjo fasoneri, ndërsa automjeti pas konstatimit u bllokua. Por jo të gjithë fasoneritë që janë mbyllur janë gjobitur. Report Tv solli sot pamjet nga fasoneria ‘Endi shpk’ në Krujë, e cila ka qenë vatra kryesore e infeksionit.