TIRANË - Pasi futi në ngërç ngritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe paralajmëroi të padisë të hënën në Prokurori, kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka vendosur të ndërmarrë një tjetër nisëm, ku do të kërkojë takim me të gjithë kryetarët e Partive jo parlamentare që braktisën Kuvendin në shkurt të 2019.
Sipas sqarimit të bërë nga zëdhënësi i Metës, Tedi Blushi këto takime, me kryedemokratin Lulzim Basha, kryetaren e LSI- Kryemadhi dhe aleatët, do të bëhen për të diskutuar lidhur me situatën e krijuar në vend,
"Presidenti Meta do të kërkojë takim me të gjithë kryetarët e Partive Parlamentare që braktisën Kuvendin në shkurt 2019, për të diskutuar lidhur me situatën dramatike ku ndodhet vendi. Padyshim do të ketë edhe të tjera inisiativa, vendime dhe takime shumë të rëndësishme!" thuhet në deklaratën e zëdhënësit të Presidentit.
Ditën e sotme Meta priti në një takim edhe kryetaren e Grupit Demokratik në Kuvend, Rudina Hajdari. Takimi u zhvillua mëngjesin e sotëm, ndërkohë që nuk dihet arsyeja dhe se çfarë është biseduar në këtë takim.
Dy ditë më parë në një intervistë televizive Meta i dha shuplakë të fortë edhe opozitës, tashmë joparlamentare, kur tha se "PD dhe LSI janë më shumë pranë qeverisë se sa Presidentit. Me ato akte e veprime që kanë bërë deri tani, siç është dhe djegia e mandateve, e dëshmon këtë. PD dhe LSI i kanë lënë rrugë të hapur kapjes së institucioneve nga Rama. PD dhe LSI e kanë lënë Presidentin e ekspozuar ndaj një bande. Por unë do flas dhe me popullin dhe ta dijnë mirë se unë nuk jam i vetëm. Unë kam popullin dhe do flas me ta. Një deklaratë bëra në Pogradec dhe doli në 1 mijë media ndërkombëtare, ndaj e them që e dinë mirë ata kur flet Ilir Meta dhe i drejtohet popullit".
Ditët e fundit, Presidenti Ilir Meta është përplasur me mazhorancën për sa i përket plotësimit me anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Pas emërimit pasditen e së mërkurës që lamë pas të Marsida Xhaferllarit, nga Presidenti Ilir Meta si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, ky institucion u fut në kaos për shkak se më parë ishte emëruar anëtarja Arta Vorpsi, automatikisht si e para në listë pas përfundimit të afatit 30 ditorë që presidenti Meta kishte në dispozicion për të zgjedhur.
Ndërkohë, kreu i PD, Lulzim Basha, reagoi mbrëmjen e djeshme në lidhje me këtë situatë, duke akuzuar edhe njëherë kryeministrin Rama se të gjitha janë lëvizje të tij për të kapur drejtësinë.