Paketa 'anti-shpifje'

18 Dhjetor 2019, 17:00

TIRANE- Kreu i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, ish-gazetar ishte sot në studion e Repolitix me gazetarin Denis Minga për të folur lidhur me ndryshimet në paketën anti-shpifje. Patozi tha se ligji i ri nuk mund të trembë asnjë gazetar, por vetëm rrit përgjegjësinë ndaj publikut, pasi tashmë ai kushdo që shkruan mban përgjegjësi. Për Patozin dëmet më të mëdha në shtypin shqiptar nuk janë shkaktuar nga presioni por nga blerja dhe kapja e gazetarëve.

"Lajmi i mirë është që çfarë do që të ndodhë me ligjin, nuk do ketë gazetar të trembur nga ligji. Kjo e rrit përgjegjësinë ndaj publikut. Ai që shkruan duhet të mbajë përgjegjësi për atë që thotë. Nuk ka të vërteta që nuk thuhen. Sot që po flasim nuk mund të ketë një gjë që mbahet e fshehur. Dëmet më të të mëdhaja shtypit shqiptar nuk i janë shkaktuar nga presioni, por nga blerja dhe kapja", u shpreh Patozi.

Gazetari Ilir Babaramo citoi në emisionin Repolitix me gazetarin Denis Minga liderin demokrat Lulzim Basha gjatë tryezës me gazetarët duke e quajtur deklaratën e tij të pakuptimtë. Babaramo tha se sipas Bashës asnjë zyrtar i PD nuk do të shkojë në gjykatë për asnjë rast shpifje por kjo fut në një thes edhe shpifësin edhe atë që tregon të vërtetën.

"Basha tha se asnjë zyrtar i yni nuk do të shkojë në gjykatë për asnjë rast shpifje. Por kjo fut në një thes edhe shpifësin, edhe atë që tregon të vërtetën", tha Babaramo.