Paketë specifike për familjet në nevojë! Rama-Metës: Ka procedura shtrimi në spital

11 Nëntor 2020, 17:47 | Përditesimi: 11 Nëntor 2020, 17:47

"Kur të vijë vaksina kundër COVID ajo do të jetë falas për të gjithë". Ky është lajmi i mirë i konfirmuar nga kryeministri Edi Rama sot nga kryeministria së bashku me ministren e shëndetësisë Ogerta Manastirliu.

Në konferencën e përjavshme, Rama deklaroi se do të ketë edhe një paketë specifike për familjet në nevojë. Nga ana tjetër kreu i qeverisë rrëzoi me forcë akuzat e opozitës dhe të presidentit Ilir Meta për situatën e COVID duke thënë se ata po nxisin panik, ndërkohë që gjërat janë nën kontroll. 

Me gjuhë të ashpër ai tha se i vjen neveri nga mënyra se si e kanë përdorur opozitarët pandeminë duke shkaktuar panik te qytetarët, me fabrikime të pavërtetash. Teksa i quajti kriminale akuzat e opozitës për vjedhje gjatë kohës së pandemisë, dhe për faktin se nuk janë marrë masa për përballimin e situatës, shtoi se sipas tij opozita, të cilën e quan çetë, është e humbur në zgjedhje dhe nuk gjen dot rrugë për të dalë nga qorrsokaku ku është futur, prandaj të gjithë këtë e bën për pushtet. Por i bindur kryeministri theksoi se pavarësisht përpjekjeve që bëjnë s'kanë për të arritur të fitojnë.

Ilir Metës sipas kreut të qeverisë i ka mbetur vetëm kostumi, e në këto kushte i ka përcjellë një mesazh duke i thënë se shtrimi në spitale ka procedura, jo siç ai i dha pasaportën për 8 orë futbollistit të Tiranës, Cobbina, i cili dhe u dënua me 100 orë punë me interes publik.

Në mbyllje të komunikimit të gjatë Rama u bëri thirrje shqiptarëve që të respektojnë rregullat e reja që do të hyjnë në fuqi sot për të mos shkuar tek ajo që ai e quan “mbyllja e madhe”. Sakaq në apel thekson të mos shpenzojnë lekë për ilaçe apo të përdorin oksigjenin vetë në shtëpi, kur janë me koronavirus, pa u konsultuar me mjekun e familjes, pasi kjo mund të sjellë pasoja fatale. Sa i përket propozimit të kryedemokratit për rimbursim të ilaçeve, Rama theksoi se qeveria po përgatitet që të futet për të mbështetur qytetarët, por sipas tij, nuk është një plan me afat.

Edhe Ministrja e Shëndetësisë, tregoi numrin e qytetarëve që përfitojnë nga rimbursimi i ilaceve, duke njoftuar gjithashtu se 36 ambulanca do të jenë pjesë e flotës anti-COVID.

b.ha./Shqiptarja.com