Palmer telefonon Metën! Presidenca: Garantët e Dvoranit morën përgjigje zyrtare

21 Nëntor 2019, 14:43

Reagimi i sotëm i Ambasadës së SHBA-së për ngërçin në Gjykatën Kushtetuese, duket se ka ardhur pas një telefonate të gjatë që Zv/ndihmës Sekretari Amerikan, Matthew Palmer, ka pasur me Presidentin Meta.

Bisedën prej 30 minutash mes Metës dhe Palmerit e ka konfirmuar zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi, i cili ka saktësuar se kjo bisedë është bërë me kërkesë të zyrtarit të lartë amerikan.

Interesimit tuaj për një lajm, që siç më vutë në dijeni, ja u ka konfirmuar Guri Lekloti dhe ju ka sugjeruar t’ja u konfirmoj edhe unë, ju sqaroj :

Po, është e vërtetë që mbrëmjen e djeshme ka patur një bisedë telefonike rreth 30 minuta mes Presidentit të Republikës, Ilir Meta dhe Zv.Ndihmës Sekretarit të Shtetit të SHBA, Matthew Palmer, me kërkesë të këtij të fundit. Qëndrimet e Presidentit Meta të shprehura gjatë kësaj bisede telefonike kanë qenë mjaft të qarta, transparente dhe shteruese.

Megjithatë nëse Lekloti, bie dakord me ambasadën e SHBA në Tiranë, dhe na autorizon ta publikojmë të plotë transkriptin e kësaj bisede telefonike, ne jemi gati ta vëmë atë të plotë në dispozicion të opinionit publik vendas dhe ndërkombëtar. Presidenti Meta nuk ka asgjë për të fshehur!”,-ka reaguar Tedi Blushi.

Biseda mes Presidentit Meta dhe Zyrtarit të Lartë Amerikan, duket se nuk ka qenë e qetë, e kjo u kuptua në reagimin e parë që pati Presidenca, pas sugjerimit të Ambasadës Amerikane ditën e sotme, që ngërçi në Gjykatën Kushtetuese të dërgohet për opinion në Komisionin e Venecias, e madje ky opinion të respektohet.

Në reagimin e parë të Presidencës,  zëdhënësi i Metës thotë se “garantët e veprimeve të paligjshme dhe mafioze të Dvoranit e kanë marrë mbrëmë përgjigjen zyrtare në një bisedë zyrtare tepër të përgjegjshme të Kryetarit të Shtetit”, duke nënkuptuar bisedën 30 minutëshe me Palmerin.