Policia e Mirditës njoftoi finalizimin e operacionit të koduar “Kaçinari” ditën e sotme (16 Gusht), arrestimin e një personi të dyshuar si kultivues, shpalljen në kërkim të bashkëpunëtorit dhe sekuestrimin e 170 rrënjëve bimësh narkotike.
Gjithashtu u proceduan penalisht edhe kryeplaku i fshatit Shpërthaz, si dhe 2 specialistë të Pyjeve në këtë zonë. Burime zyrtare nga Policia e Lezhës bënë me dije se i ndaluari është N.M., kurse personi në kërkim F.B., teksa po hetohen edhe rolet e tyre në ngjarje.
I dyshuari u kap teksa po kujdesej për kanabisin e mbjellë, me ujitjen dhe prashitjen e tyre. Lënda narkotike u asgjësua pas mbajtjes së procesverbalit dhe hetimet janë aktive. Kryeplaku dhe specialistët akuzohen për “shpërdorim detyre”, pasi nuk evidentuan dhe raportuan rastin e aktivitetit të paligjshëm, kurse dosja i kaloi prokurorisë vendore.