Pamjet / Elbasan, ekzekutohet vendimi për sekuestrimin e pasurive të Kastriot Kilës, vlera qindra miliona lekë

11 Dhjetor 2018, 13:47

Dy muaj pas arrestimit të tij, prokuroria e Elbasanit, ka sekuestruar pasurinë e Kastriot Kilës. 37-vjeçari u arrestua pasi ndaj tij kishte një urdhër arresti ndërkombëtar.

Mbi të kishte akuza për disa vepra penale, duke filluar që nga pjesëmarrja në një organizatë kriminale, në trafik narkotikësh, mashtrim dhe kallëzim të rremë. Ndërkohë që sot mësohet se janë sekuestruar prona me vlerë deri në 71 milionë lekë. Sipas organit të akuzës, vlera e këtyre pasurive në treg është disa herë më e madhe.

Pasuritë e sekuestruara janë: një ndërtesë 5-katëshe, me sipërfaqe banimi 1502 m2; njësi Shërbimi 400 m2; tokë bujqësore 5200 m² dhe shoqëria tregtare “KILA TRANS” sh.p.k, të gjitha në Elbasan. 

Në muajin tetor këtij personi i janë sekuestruar edhe 39 makina luksoze dhe 6 motomjete në 3 pika shitje të mjeteve të dyshuara se janë të përfituara nga veprimtaria kriminale.

Vlera e blerjes së këtyre pasurive nga shtetasi Elton Kila alias Kastriot Kila, të deklaruara në deklaratat noteriale të përpiluara tek noteri, kap  shumën afro 71 milionë lekë të reja, por vlera  aktuale e tregut të këtyre pasurive është shumë herë më e madhe.

Hetimet vazhdojnë për të verifikuar pasuri të luajtshme apo të paluajtshme si dhe llogari bankare të dyshuara me prejardhje kriminale. Report TV zbardhi edhe pasurinë e tij dy muaj më parë kur u arrestua në Elbasna për llogari të Italisë.