Parkimet në kryeqytet, Veliaj: Akuzat e opozitës shpifje, lehtësojmë qytetarët duke shtuar mënyrat e pagesës

31 Janar 2019, 19:24 | Përditesimi i fundit: 2019-01-31 21:10:14

Pasditen e sotme u zhvillua mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës ku u morën disa vendime të rëndësishme vetëm me votat e shumicës, pasi LSI-ja që ishte e vetme nga opozita në sallë u largua pas debatit. Pika që solli më shumë debat ishte ajo për parkingjet. Në fund Këshilli Bashkiak i Tiranës e miratoi vendimin “Për një shtesë në vendimin Nr 49, datë 11.11.2015 “Për miratimin e kritereve të përcaktimit të zonave të administrimit të parkimit dhe nënzonave të destinuara për parkim, si dhe tarifave të shërbimit të parkimit të administruar nga Bashkia e Tiranës, të ndryshuar”.

Me anë të këtij vendimi, sipas bashkisë së Tiranës do të bëhet e mundur që përveç dy opsioneve: asaj me sms nga telefoni i tyre dhe direkt te inspektori përkatës i Tirana Parking, pagesa të bëhet edhe nëpërmjet alternativave të tjera siç janë pajisjet vetëshërbyese (automatë) dhe aplikacione të ndryshme, në vendet e destinuara për parkim, të cilat mund të punojnë gjatë periudhës kur shërbimi i parkimit është aktiv, si një metodë e thjeshtë dhe efektive për verifikimin e tarifës së parkimit, njësoj si në çdo vend tjetër perëndimor.

Për këtë projektvendim, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e akuzoi sot Erion Veliaj se po i jep parkingjet me koncesion (lexo këtu). Por, kryebashkiaku Veliaj hodhi poshtë akuzat e opozitës, duke sqaruar se qëllimi i vetëm i saj është lehtësimi i qytetarëve.  “Kam dëgjuar aq shumë çudira që qartazi vijnë nga njerëz që nuk kanë lexuar relacionin. Nuk e japim me koncension se nuk jemi çmendur që të japim një gjë që mezi e krijuam dhe që po del shumë e dobishme për Bashkinë e Tiranës, Agjencinë e parkimit ta japim me koncension! S’jemi budallenj por kemi pasur raste, një rast  konkret, ambasadori ynë në Turqi i cili thotë me numrin tim turk unë nuk e paguaj dot edhe pse është shumë konveniente kjo që keni bërë me pagesë, ndaj shumë njerëz sidomos turistë na kanë kërkuar që të ketë një automat, siç ka kudo jashtë, çdo 100 metra, 500 metra hajde ta vendoësim që të kem mundësi ta paguaj edhe me xheton.

Është diskush tjetër që thotë unë jam klient i M5 apo Easy Pay, pra kam një aplikacion që portofoli im financiar është në formën e një aplikacioni dhe duke qenë se është e tillë thotë: Unë i kam aty paratë që shpenzoj për konsum publik. Pse ma mohon të pagua?! Pra thjesht kemi shtuar gamën e pagesave siç e kemi bërë fundja me ujin dhe energjinë . Po të shikoni dhe tabelat ku paguhet uji dhe energjia, çfarë keni pa logo aty nga e cila ti mund të paguash ujin e energjinë, ato logo tani ia kemi bërë të mundshme ose pjesën më të madhe të tyre edhe pagesës së parkingut, ndaj besoj se është shteruese”, theksoi Veliaj, teksa paralajmëroi ata që shpifin se lekët e fituara nga proceset gjyqësore do të shkojnë për kompjuterë për shkollat e kryeqytetit.

"Ajo që më habiti sot në mëngjes që në pikë të sabahut, robi që s’është këtu sot por që sa u dënua për shpifje, nuk është tharë boja e dënimit për shpifje, se si doli i koha si kaproll dhe kapërceu tre televizione nëpër banaqe sot për shpifjen e radhës, kështu që e shoh që e ka ndarë mendjen, do i bëj gjithë shkollat e Tiranës me kompjutera nga lekët e gjyqeve!  Po bëhet fjalë vetëm për mënyrën e pagesës, pra për ata që janë të huaj dhe thonë, unë mund të vendos 100 lekëshin si xheton dhe të marr një faturë e ta vendos tek xhami apo ata që kanë le të themi portofole aplikacionesh elektronike në telefonin e tyre dhe paguajnë nëpërmjet AP, që mund ta kenë lidhur me llogarinë e tyre bankare" tha ai. Ai tha se sikurse është premtuar, pagesat nga parkingjet në kryeqytet shkojnë për shtimin e  gjelbërimit në kryeqytet. “Shumë zhurmë për asgjë por besoj se kjo është shteruese edhe për gjithë teorite e konspiracionit se s’po dinin kujt t’ia faturonin këtë koncension dhe s’po gjenin dot kush po e merrte! S’ e merr asnjeri, e mban Bashkia Tirana dhe lekët i bën pemë siç i kemi bërë gjithë këto kohë”, shtoi Veliaj.

"Të investohet më shumë për konviktet, jo të bëhen fasada. Nuk pajtohemi për vendimin për parkimin, sepse do kishte diferencim për pagesat e qytetareve, shprehim voten pro per ndihmen ekonomike dhe vendimeve te tjera qe jane per qytetaret, per vendimet e tjera kemi rezerva" tha Elton Halimi, anëtar i LSI-së, ndërsa më pas të gjithë këshilltarët e braktisën mbledhjen.

Një tjetër cështje që zuri vend gjatë fjalës së Erion Veliajt në mbledhjen e Këshillit ishin edhe studentët. Kryebashkiaku Veliaj sqaroi çështjen e kartës, ku theksoi se ato aktualisht janë tagër i universiteteve dhe çdo universitet duhet të emetojë kartën e vet. Veliaj theksoi se karta e studentit ka qenë një kërkesë e kahershme, por në momentin që ai ka marrë mandatin e kryebashkiakut doli ligji i ri i Arsimit të Lartë, i cili ia kaloi këtë kompetencë universiteteve.

“Kur kemi kandiduar për Bashkinë nuk kemi pasur autonomi të universiteteve, kanë qenë shtetërore.  Me ligjin e ri përgjegjësia e kartës studentore, është e universitetit. Kam ofruar gatishmërinë time dhe me Ministrinë e Arsimit, që nëse universitetet nuk e prodhojnë dot, të na i kalojnë ne kompetencën dhe rikthehemi te plani fillestar, ku i bën bashkia për një javë”, tha Veliaj.

Gjithsesi, theksoi Veliaj, Këshilli Bashkiak ka miratuar shërbimet falas ose tejet të reduktuara për 40 shërbime që studentët i marrin vetëm duke paraqitur librezë studenti apo një mjet tjetër identifikimi.

●             40 Shërbimet që përfitojnë studentët me ose pa kartë studenti:

●             TRANSPORTI PUBLIK: Aboneja e studentit ka vlerën e vetëm 600 lekë për një muaj (1,600 lekë çmimi standard)

●             MUZETË: Muzeu Historik Kombëtar 60 lekë (Çmimi standard 200 lekë); Shtëpia me Gjethe 210 lekë (Çmimi standard 700 lekë); Bunk’Art1 300 lekë (Çmimi standard 500 lekë); Bunk’Art2 300 lekë (Çmimi standard 500 lekë); Kulla e Sahatit dhe muzeu përkrah tij FALAS (Çmimi standard 200 lekë); Muzeu Arkeologjik 100 lekë (Çmimi standard 300 lekë); Muzeu i Shkencave të Natyrës 50 lekë; Muzeu i Forcave të Armatosura FALAS ; Muzeu i Bankës së Shqipërisë FALAS; Muzeu Mezuraj 100 lekë (Çmimi standard 200 lekë); 

●             GALERITË: Galeria Kombëtare e Arteve 100 lekë (Çmimi standard 200 lekë); Galeria Fab FALAS; Galeria Zeta FALAS; Galeria Kalo FALAS; Gallery 70 Contemporary Art FALAS; Bazament Art Space FALAS; COD FALAS; Art Galeri E.Rira FALAS; Vivart Gallery FALAS ; Tirana Art Lab FALAS; IICAS - International Interactive Contemporary Art Space FALAS;

●             QENDRA KULTURORE: Teatri i kukullave 5,000 lekë/ora (Çmimi standard për sallën me qera – 15.000L/ora);

●             TEATRO DHE KINEMA: Teatri Kombëtar / ArTurbina 150 lekë (çmimi standard 300 lekë);   Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” 200 lekë (Çmimi standard 500 lekë)

●             Teatri Metropol 300 lekë (Çmimi standard 500 lekë)

●             Kinema Millenium 400 lekë (Çmimi standard 500 lekë); Kinema Imperal 450 lekë (Çmimi standard 500 lekë); Kinema Cineplexx 2D 450 lekë (Çmimi standard 600 lekë) 3D 600 lekë (Çmimi standard 750 lekë)

●             APR: Reja FALAS (Për aktivitete biznesi – 20.000  lekë / ora.); Parku i Madh i Liqenit Artificial Tiranë Fushat sportive në PMLAT 50% ulje; Kopshti Zoologjik 100 lekë

●             SHËRBIMET FALAS QË OFROHEN NGA BASHKIA TIRANË: 

○             Qendra Multifunksionale TEN salla falas;

○             Bibliotekat e Lagjeve - Çdo student i pajisur me kartë mund të regjistrohet në çdo bibliotekë dhe të shfrytëzoj hapësorat për lexim dhe aktivitet falas.

○             Sheshet Publike -  Çdo student apo grup studentësh të pajisur me kartë mund të zhvillojnë aktivitetet e tyre në sheshet publike falas, duke ndjekur proçedurat e marrjes së lejes pranë Bashkisë Tiranë.