Parlamenti rrëzon 12 dekretet e Metës dhe miraton aktet normative për vaksinat anti-COVID

7 Maj 2021, 18:32

I hapet rruga për herë të dytë shkarkimit të Presidentit të Republikës Ilir Meta. Raporti i 'Ligjeve' për ngritjen e Komisionit Hetimor që do të shqyrtojë kërkesën e 49 deputetëve të mazhorancës është miratuar me votën pro të 98 deputetëve. Kuvendi miratoi me 97 vota pro gjithashtu edhe përbërjen e Komisionit Hetimor, me kryetar Alket Hysenin, nënkryetar Myslim Murrizin, sekretare Klotilda Bushka dhe 6 anëtarë të tjerë. Të gjitha të votuara me mbi 90 vota, Kuvendi i Shqipërisë ka rrëzuar në seancën e sotme 12 dekrete të Presidentit të Republikës. Dekretet kishin të bënin me me ligjet e kthyera nga kreu i Shtetit duke nisur nga ligji për punonjësit e policisë së shtetit, ligjin për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit, ai për organizimin e pushtetit gjyqësor, atë për kodin penal. Gjithashtu, Parlamenti ka rrëzuar dekretin për gjykatat administrative, për funksionimin e Prokurorisë, atë të Kodit të Procedurës Penale dhe ligjin për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese.

Kuvendi miratoi ditën e sot edhe disa akte normative që lidhen me sigurimin e vaksinave anti-COVID. Aktet bnormative janë votuar me mbi 96 vota pro, ku Kuvendi i jep të drejtë ministrisë së Shëndetësisë të diskutojë dhe miratojë marrjen e vaksinave Pfizer, Sputnik V dhe apo Sinovac për të vaksinuar qytetarët shqiptarë.