Pas 17 vitesh nis thellimi i Kanalit të Vivarit në Butrint, Ministri Salla inspekton punimet: Rikthejmë kuotat për kultivimin e midhjes

19 Gusht, 18:09 | Përditesimi: 19 Gusht, 18:09

Pas më shumë se 17 vitesh pa ndërhyrje, ka nisur thellimi i Kanalit të Vivarit në Butrint, një investim që synon të rikthejë funksionalitetin e kanalit dhe të krijojë kushtet për hapjen e kuotave të kultivimit dhe eksportit të midhjes.

Punimet parashikojnë, në fazën e parë, largimin e rreth 50 mijë metra kub sedimenteve të grumbulluara ndër vite. Sipas Ministrisë së Bujqësisë, ndërhyrja do të përmirësojë shkëmbimin natyror të ujërave mes Lagunës së Butrintit dhe Detit Jon, duke ndikuar në oksigjenimin dhe nivelin e kripësisë, elementë të rëndësishëm për ekosistemin dhe kultivimin e midhjes.

Gjatë inspektimit të punimeve në Sarandë, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, tha se investimi lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin e ekonomisë së zonës.

E.H/Shqiptarja.com