Pas Dokles, lirohet një tjetër anëtar i bandës së Durrësit i dënuar me 25 vjet burg për të njëjtën tentativë vrasjeje! Gjyqtari i fal 5 vite: Ka babanë të vetëm

20 Janar 2020, 18:08

DURRËS- Sardian Sulejmani, një tjetër anëtar i të ashtuquajturës “Banda e Durrësit”, është liruar nga qelitë e burgut të Fierit prej tetorit 2019. Sulejmani rezulton i dënuar në korrik të vitit 2014 nga Gjykata e Lartë, me 25 vite burgim për akuzën e “Vrasjes me paramendim të mbetur në tentativë” në dy raste ndaj Lulzim Berishës ngjarje të ndodhura në gusht të 2005 dhe “Vrasjes me paramendim” të Avni Gashit ndodhur në tetor 2005 në Tiranë. Për të dyja këto krime që është dënuar Sulejmani ishte dënuar dhe Endrit Dokle, nga gjykata, pasi dy miqtë kanë bashkëpunuar në këto ngjarje kriminale.

Burime pranë Policisë së Shtetit thanë se Sulejmani prej 3 muajsh qëndron i lirë, pasi në muajin tetor 2019 gjykata e Fierit dhe më konkretisht gjyqtari Piro Sota, ka vendosur t'i pranojë kërkesën për lirimin me kusht Sulejmanit, duke i falur këtij të fundit masën e dënimit të mbetur prej 4 vjet, 10 muaj e 17 ditë burgim.