Lirohet ish-numri dy i bandës së Durrësit Endrit Dokle, i cili ishte anëtari i fundit brenda në qeli. Gjyqtarja Enkelejda Hoxha vendosi sot që të pranonte kërkesën e avokatit për shuarjen e dënimit të përjetshëm duke e ulur në 25 vite, ndërsa më pas e ka liruar me kusht, 5 vite në shërbim prove (lexo ketu). Endrit Dokle u arrestua në vitin 2004 dhe u lirua pas 16 viteve burg, 4 vite u ulën nga amnistia që u njoh nga gjyqtarja Hoxha, ndërsa 5 vitet që mbetën nga 25 në total që u la përfundimisht (pas heqjes së dënimit përjetë), u konvertuan në shërbim prove.

Lirimi nga burgu i Endrit Dokles nuk ka qenë surprizë, pasi duket se ishte i projektuar mirë në kohë. Gjyqtarja e gjykatës së Krujës, Enkelejda Hoxha që i hoqi sot dënimin përjetë ka dhënë edhe tre vendime të tjera për Doklen. Pas dy vendimeve që i njohu uljen e 4 viteve burg nga amnistia, lëvizja kyçe për lirimin nga burgu të Dokles që ka qenë dënuar për grup të strukturuar kriminal dhe vrasje ishte kërkesa në shtator të vitit të kaluar për ndryshimin e vendit të vuajtjes së dënimit nga burgu i sigurisë së lartë në Fushë Krujë në një burg të sigurisë së zakonshme. Kërkesa e tij u pranua po nga gjyqtarja Enkelejda Hoxha.

"Vendosi pranimin e kërkesës së kërkuesit Endrit Dokle, ndryshimin e llojit të sigurisë së burgut për kërkuesin Endrit Dokle nga burg i sigurisë së lartë në një burg të sigurisë së zakonshme, ngarkohet drejtoria e përgjithshme e burgjeve Tirane për zbatimin e këtij vendimi, shpenzimet gjyqësore sikur janë bërë, kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në gjykatën e apelit Tiranë sipas ligjit duke filluar nga e nesërmja e shpalljes se këtij vendimi. U shpall në Krujë sot me date 20.09.2019" ishte vendimi i shtatorit të vitit 2019.

Gjyqtarja Enkelejda Hoxha

 

Lëvizja ishte vendimtare, pasi sipas gazetarit të Shqiptarja.com Elton Qyno në momentin që ndryshon vuajtjen e dënimit nga burgu i sigurisë së lartë në të zakonshëm, i dënuari mund të bëjë kërkesa për ulje dënimi dhe kur pjesën dërrmuese të dënimit e ke kryer, gjykata mund të pranojë kërkesën. Dhe kështu ndodhi. Menjëherë pas vendimit, pra ndryshimin e vendit të vuajtjes së dënimit, në tetor po të vitit 2019, Dokle depozitoi një kërkesë për lirim me kusht, pasi sipas avokatit pjesën më të madhe të dënimit maksimal 25 vite, e ka shlyer duke kërkuar më pas shuarjen e dënimit përjetë që dha gjykata e Lartë në 2014 dhe që e la fuqi edhe Gjykata Kushteteuse në 2017 (lexo ketu).

Kërkesa është kundërshtuar nga prokurorët, duke pretenduar se nuk plotëson kushtet, ndërsa kërkuan edhe përjashtimin e gjyqtares Hoxha me argumentin se i njëjti trup gjykues ka dhënë tre vendime në favor të kërkuesit. Gjithashtu sipas prokurorisë së Krujës lirimi është kryer në shkelje pasi pretendojnë faktin se gjykata i ka llogaritur si ditë burgu edhe amnistinë e cila sipas ligjit nuk llogaritet. Mirëpo gjyqtarja Hoxha nuk mori parasysh kërkesat e prokurorisë, por të avokatit duke vendosur që këtë dënim përjetë ta shuaj dhe ta lërë 25 vite, më pas duke e cilësuar si dënim që pjesën dërrmuese e ka shlyer e ka liruar me kusht në shërbim prove. 5 vitet që i mbeteshin për të bërë nga 25 në total që u la përfundimisht iu kaluan në shërbim prove. Garant për të fituar lirinë me kusht duhet të dalë një firmë apo institucion për të marrë në punë, të cilën Dokle e ka siguruar nga biznesmeni Agim Çako (lexo ketu).

Burime nga Prokuroria e Përgjithshme për gazetarin e Report Tv Arsen Rusta pohojnë se shumë shpejt do të ketë një qëndrim për lirimin e Endri Dokles. Po sipas burimeve nga prokuroria e përgjithshme, vendimi i burgut përjetë për Doklen është lënë në fuqi edhe nga Gjykata Kushtetuese dhe ish-anëtari i bandës së Durrësit mund ta dërgonte vetëm në Strasburg. Po sipas tyre, është shkelje e ligjit nga gjyqtarja e Krujës që si gjykatë më e ulët ka hequr dënimin e burgut përjetë duke ia konvertuar në 25 vite dhe më pas shlyerje të më shumë se 3/4 dhe lirim me kusht. E kontaktuar nga ReportTv ministria e Drejtësisë dhe drejtoria e burgjeve nuk kanë dhënë asnjë koment për këtë fakt. Burgimin e përjetshëm nga banda e Durrësit fillimisht e morën  Endrit Dokle, Lulzim Berisha (u lirua me kusht), Indrit Taullai dhe Adriatik Coli. Tre nga katër burgimet i ka rrëzuar gjykata e Lartë duke i dënuar me 25 vite. Ndërsa për Doklen u la në fuqi dënimi i përjetshëm që u rrëzua sot duke e liruar nga burgu. Endrit Dokle i njohur si ish pjesëtar i bandës së Durrësit e më pas i kthyer në rivalin e Lulëzim Berishës, qëndronte pas hekurave me dënimin burg përjetë me akuzën e tre vrasjeve.(Lexo ketu te gjitha akuzat kunder Endrit Dokles).