Pasojat nga tërmeti/ Prokuroria hap hetim mbi qindra ndërtime

2 Dhjetor 2019, 11:58 | Përditesimi i fundit: 2019-12-02 15:02:25

Zyrtarisht Prokuroria e Tiranës, Durrësit dhe e Krujës kanë nisur tre hetime për sa i përket dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i mëngjesit të 26 nëntorit, ku nga shembja e disa godinave humbën jetën shumë persona.

Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta bën me dije se hetimi i parë nga Prokuroritë po kryhet për godinat e shembura që nën rrënojat e tyre zunë poshtë njerëz ku shumë prej tyre nuk mundën të dalin të gjallë. Hetimi i dytë po kryhet për dëmtimin e rëndë të godinave që janë dëmtuar në qytetin e Durrësit por edhe në Thumanë, për të cilat do të hetohet e gjitha puna se si janë ndërtuar dhe personat përgjegjës.  Ndërsa hetimi i tretë po kryhet për godinat e dëmtuara në kryeqytet.

Në lidhje me këtë rast që futi në zi Shqipërinë, dyshohet se pasojat e rënda në jetë njerëzish kanë ardhur si shkak i ndërtimeve pa leje dhe të mos kryerjes së detyrës nga inxhinierët zbatues dhe të personave të tjerë përgjegjës për mospërmbushjen e rregullt të punës.

Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta, bën me dije se Prokuroria në terren, tek godinat e rrënuara në Durrës, Thumanë e në Tiranë ka marrë edhe mostrat e ndërtimit të godinave, siç janë fijet e hekurit, copat e betonit, rëra etj. Këto mostra do të analizohen në laboratorët përkatës ku do të përcaktohet edhe nëse kanë qenë të rregullta dhe në masën e duhur për të mbajtur peshën e ndërtimeve të kryera.

Në vijim të veprimeve të kryera, po kërkohet informacion Bashkisë së Tiranes e të Durrësit por edhe të Krujës për banesat e evidentuara tashmë si të prekura nga tërmeti dhe të klasifikuara jo në kushtet e duhura për banim. I njëjti informacion i është kërkuar dhe strukturave të tjera shtetërore.

Konkretisht Prokuroria e Durrësit çështjen e ka regjistruar më 29 nëntor, tre ditë pas tërmetit shkatërrimtarë që mori shumë jetë njerëzish. Në këtë dosje do të hetohen edhe nënpunësit shtetëror të ngarkuar me mbikëqyrjen e këtyre ndërtimeve. Çështja është regjistruar për veprat penale; "Ndërtim pa leje", dhe "Shpërdorim detyre", parashikuar nga nenet 199/a, 3 dhe 248 të kodit penal.

    No videos found.