PD e Vlorës çel fushatën/ Leskaj: Do zbatojmë detyrat e vendosura nga Basha! PS s’merr më shumë se 5 mandate

26 Mars 2021, 14:29 | Përditesimi i fundit: 2021-03-26 14:30:38

VLORË- Partia Demokratike në Vlorë ka çelur ditën e sotme fushatën elektorale, teksa drejtuesi politik i qarkut, Bujar Leskaj është shprehur i bindur për një fitore të madhe të demokratëve në këtë qark. Në ceremoninë e zhvilluar pranë varrit të themeluesit të Kombit Shqiptar, Ismail Qemali, Leskaj tha se PS-ja nuk do të marrë më shumë se 5 mandate, duke lënë jashtë kryeministrin Edi Rama, i cili është renditur i 8-ti.

“Partia Demokratike do të luftojë varfërinë e cila ka trokitur në çdo derë vlonjate ! Do të zbatojmë tërësisht të gjitha detyrimet e vendosura nga kreu Basha. Nipi i Esat pashë Toptanit nuk merr më shumë se pesë mandate në Vlorë . PD do të marrë 5-6 deputete dhe LSI 1-2”, tha Leskaj.

Leskaj ka qenë protagonist në një ngjarje e cila më pas u hodh poshtë nga vetë ai. Pak javë më parë, u mblodh kryesia e PD-së, në Vlorë, së bashku me kandidatët dhe zgjati më shumë se tre ore, ndërkohë që u përfol për debate të forta dhe tensione. Drejtuesi politik i qarkut të Vlorës, Bujar Leskaj i pari në listën e kandidatëve për deputet në qytetin bregdetar, mësohet se ka shprehur pakënaqësi në lidhje me listën e kandidatëve për deputet të propozuar nga Lulzim Basha. Sipas asaj që u raportuar më herët, Leskaj kishte pakënaqësi për ekipin e tij, me argumentin se në listë janë vendosur emra të dobët përballë kandidatëve të PS dhe pretendimi për të siguruar 4 mandate në Vlorë, me këto kandidatë vështirë të garantohen. Një prej emrave që thuhej se Leskaj kërkonte në listë dhe që nuk është përfshirë ishte pikërisht Genc Deromema, kryetari i degës së PD-së në Vlorë, por këto zëra u mohuan nga protagonistët e ngjarjes.