PD i kërkon Prokurorisë së Dibrës informacion për dosjen 184: Çështja të transferohet në SPAK

18 Janar 2020, 16:57

TIRANE- Partia Demokratike i ka kërkuar Prokurorisë së Dibrës informacion për Dosjen 184 për krimet zgjedhore në bashkinë e Dibrës. Nëpërmjet një letre, PD shpreh bindjen se kjo dosje duhet t’i transferohet SPAK-ut, duke qenë se sipas saj, atje është i faktuar bashkëpunimi në një grup të struktuar kriminal për vjedhjen e zgjedhjeve në Dibër nga ana e qeverisë Rama.

PD kërkon informacion në lidhje me hetimin e dosjes 184, nëse Prokuroria e Dibrës ka shpallur apo jo mos kompetencë për ta kaluar në SPAK dhe njohjen me provat dhe aktet e administruara deri tani.

“Në Qershor 2019, gazeta prestigjioze gjermane Bild, publikoi përgjime, pjesë të kësaj dosje hetimore, ku provohej qartë, jo vetëm veprimtaria kriminale për vjedhjen e zgjedhjeve vendore në Dibër, por edhe fakti se kjo veprimtari ishte e struktuar, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, që drejtohej personalisht nga Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë dhe Damian Gjiknuri, deputet i Kuvendit të Shqipërisë”- thuhet në letrën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi për Prokurorinë e Dibrës. 

Dosja me nr.184 është një nga çështjet më të nxehta të Prokurorisë së Përgjithshme, e cila u mbajt për tre vite të Krimet e Rënda dhe në fund çështja u transferua në vendin e krimit, në Dibër, për shkak se Krimet e Rënda nuk provuan gjatë tre viteve akuzën e “Grupit të strukturuar kriminal”. Në këto kushte prokurorët e krimeve të rënda shpallën moskopetencën dhe dërguan dosjen për hetime të mëtejshme në Dibër.

Një natë më parë u shkarkua nga detyra, shefi i Rrugores Dibër Robert Aga, i përfshirë në përgjimet e Bild, për shkak se vëllai tij Pajtim Aga u arrestua pas goditjes së një grupi që sillte drogë në formë çokollate nga Greqia për ta dërguar drejt vendeve europiane.

Kërkesa e PD