PD letër Prokurorit të Përgjithshëm: Po pengoni dekriminalizimin! Asnjë përgjigje për Babanin dhe Ismailaj

6 Nëntor 2020, 19:27

TIRANË- 1 vit nga kërkesa për të hetuar 2 kryebashkiakët  e  PS, të dalë nga zgjedhjet e 30 Qershorit, Mark Babanin e Vaut të Dejës dhe Qerim Ismailaj të Mallakastrës, Partia Demokratike i është drejtuar kryeprokurorit Olsian Cela për t'i kërkuar informacion se deri ku kanë arritur verifikimet për të kaluarën e Babanit dhe Ismailajt.

"Kërkojmë nga Prokuroria e Përgjithshme: “ Informacion të detajuar për të gjitha veprimet administrative që janë kryer deri në këtë moment për shqyrtimin e kërkesës për verifikimin e figurës së shtetasve Mark Babani dhe Qerim Ismailaj. Informacion mbi fazën në të cilën ndodhet procesi i verifikimit dhe arsyet e vonesës 1 vjeçare. Përmbylljen e procesit të verifikimit dhe një reagim institucional të shpejtë nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, me synim që të arrihet qëllimi kryesor që ka ligji i dekriminalizimit, të largojë personat me të kaluar kriminale, duke i penguar që të marrin vendime për qytetarët apo të ndikojnë në zgjedhje", thuhet në dokument. 

Sipas PD prokuroria ka zvarritur procesin e verifikimit të kryebashkiakëve të Vaut të Dejës dhe Mallakastës, dhe për këtë PD cilëson si përgjegjës kryesor kryeprokurorin Olsian Cela. Sekretari i përgjithshëm Gazment Bardhi akuzoi Çelën se po pengon zbatimin e dekriminalizimit.

“Me ardhjen tuaj në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, procesi i verifikimit të figurës së zyrtarëve publik është frenuar dhe ju jo vetëm keni deformuar/ndryshuar mënyrën e zbatimit të ligjit (siç ishte rasti i shtetasit Agron Malaj), por po pengoni tërësisht zbatimin e ligjit të dekriminalizimit", vijon dokumenti. 

Për Mark Babanin PD pretendon se ka të shkuar kriminale në Itali ku ka përdorur emër tjetër, ndërsa Qerim Ismailaj sipas selisë blu ka qenë i dënuar në Greqi.

Më herët Partia Demokratike ka kallëzuar dhe kryebashkiakun e sapo zgjedhur të shkodrës Valdrin Pjetrin për të shkuar kriminale dhe atë të Vorës Agim Kajmakun, të cilët u vunë nën hetim nga prokuroria.  Partia Demokratike kërkoi shkarkim edhe për kryebashkiakun e Matit, Agron Malaj dhe Kastriot Gurrës  të Librazhdit pasi pretendonte se prekeshin nga ligji i dekriminalizimit, por KQZ refuzoi kërkesën e tyre.