PD program me 11 pika për arsimin, Basha: 40 mln dollarë investime në arsimin e lartë!

3 Shkurt 2021, 19:31

Partia Demokratike ka prezantuar ditën e sotme programin me 11 pika për arsimin, ku fokusin e ka vendosur në rritjen e pagave të mësuesve dhe pedagogëve, përftimin e bursave për studentët nga familje me të ardhura nën 64 mijë lekë dhe  tekstet shkollore falas për 350 mijë nxënës, kurse private falas për gjuhët e huaj për çdo të ri deri tek krijimi i programeve pas shkollore më ushqim për nxënësit në mënyrë që ato të përforcojnë më shumë dijet e tyre dhe kohën ta kalojnë në ambientet shkollore. 

Basha tha se ky program është punuar për disa muaj nga specialistët më të mirë të arsimit, si nga Shqipëria, edhe nga jashtë vendit, për t’i dhënë Shqipërisë një plan pune konkret. Një plan pune që sipas Bashës do të ndryshojë rrënjësisht sistemin tonë arsimor.

Kryedemokrati Basha tha se asnjë mësues nuk do të marrë më pak se 700 euro më muaj pagë, pedagogë 900 euro në muaj dhe 1300 për profesorët. Basha premtoi edhe praktika pune të paguara për studentët që bëjnë kërkime shkencore , ndërsa kush i ri dëshiron të marrë një profesion do ta mësojë atë  gjatë periudhës së arsimit të mesëm.

Gjithashtu Basha tha se do të ofrojë 40 mln dollarë investime në arsimin e lartë duke sjellë dixhitalizimin e tyre, ndërsa tha se brenda 4 viteve, çdo familje do të ketë të paktën 1 tabletë, laptop ose kompjuter në shtëpi.

"Çdo fëmije duhet t'i garantohen kushtet nga shteti, që të jetë në gjendje të sigurojë jetën dhe të ketë mundësi dhe shanse të ecë përpara, si të gjithë moshatarët në Europë. Dhe jo të përjashtohet pa iu dhënë fare shansi të studiojë në kushte të barabarta. Unë angazhohem që brenda 4 viteve, çdo familje do të ketë të paktën 1 tabletë, laptop ose kompjuter në shtëpi", tha Basha.

Pjesë e ekspertëve që hartuan programin për arsimin ishte dhe ish ministri Myqerem Tafaj, i cili gjatë kohës që ushtroi këtë detyrë, licensoi universitet kioska që prodhuan diploma false.

Më herët partia Demokratike ka prezantuar alternativën e saj për ekonominë dhe shëndetësinë. Për këtë të fundit Basha u takua mëngjesin e kësaj të mërkure me farmacistë dhe pacientë, ku akuzoi se cilësia e cilësia e barnave ka marrë goditje, duke hapur tregun për barna të pacertifikuara.