PD kyçi derën, çmontohet brava, kryetari i ri që u betua te n/prefektura futet në bashkinë e Devollit

26 Korrik 2019, 14:32 | Përditesimi i fundit: 2019-07-26 17:43:30

DEVOLL-Kryebashkiaku i parë i dalë nga zgjedhjet lokale të 30 Qershorit është futur në zyrë. Sot u konstituua këshilli i parë bashkiak dhe u betua kryetari i ri i bashkisë së Devollit, Eduard Duro. Ceremonia e betimit nuk u zhvillua në godinën e bashkisë, pasi ish-kryetari i zgjedhur nga PD-ja Bledjon Nallbati bashkë me administratën dhe militantët të mbështetur nga ish-deputetë nga Tirana nuk lejuan që mbledhja e thirrur nga sekretari socialist (i këshillit të vjetër) të zhvillohej aty. Përballë kësaj situate, socialistët duket se e kishin gati planin B, pasi u zhvendosën në godinën e n/prefekturës.

Në mbledhje fillimisht u betuan anëtarët, më pas u zgjodh kryetari i këshillit dhe në fund u betua kryetari i ri i bashkisë. Por ish-kryetari Bledjon Nallbati deklaroi se nuk do ta liroë zyrën. Ai qëndroi deri në orarin zyrtar të punës 16:00 dhe më pas doli i shoqëruar nga duartrokitjet e administratës dhe militantëve. Disa minuta më pas në 16:10 drejt bashkisë u drejtua i zgjedhuri i ri, por dera ishte mbyllur. Me urdhër të tij dhe në prani të prefektit një person çmontoi bravën dhe Duro ngjiti shkallët e bashkisë si kryetar duke hyrë në institucionin që do të drejtojë për 4 vite, por jo në zyrën e tij, pasi edhe ajo ishte e mbyllur, ndërsa do të ketë fatin e derës kryesore.

Burime nga administrata e KQZ-së pohuan dje për Shqiptarja.com se para datës 10 Gusht, çdo konstituim është i paligjshëm për dy arsye; e para se nuk është miratuar tabela përfundimtare nga KQZ dhe e dyta se në këtë datë u mbaron afati i të zgjedhurve të 2015.   Por anëtari i KQZ-së, Bledar Skënderi në një lidhje telefonike për Report Tv tha se konstituimi mund të bëhet edhe para datës 10 gusht.  Sipas tij për çdo kryetar bashkie data e konstituimit do te jetë e ndryshme pasi në 2015 çdo kryetar bashkie dhe çdo këshillë është konsistuar në ditë të veçantë.Presidenti dhe opozita (që i bojkotoi) nuk i njohin zgjedhjet lokale të 30 Qershorit, ndërsa SHBA dhe BE, pasi i certifikuan, kërkuan që kryetarët e rinj të bashkive që u zgjodhën të nisin punën sa më parë.