‘Pensionistët nuk ia dalin pa ndihmën e fëmijëve’, Braçe tregon bisedën me nënën: Ja çfarë e rëndon buxhetin e tyre

5 Tetor 2022, 18:26

Deputeti socialist Erion Braçe ka treguar bisedën me nënën e tij, nga e cila zbuloi se çfarë rëndon më shumë pensionistët në rritjen e çmimeve. Ai tha se do t’i shpjegonte paketën e Rezistencës Sociale kur kuptoi se çmimet e bulmetit janë shumë të larta për ta dhe nuk i përballojnë dot pa ndihmën e fëmijëve.

“Nëna, po të mos e ndihmoj unë, nuk ia del dot. Nëna merr rreth 165 mijë lekë të vjetra pension dhe po të mos e ndihmoj unë, të dy si çift, nëna dhe babai nuk ia dalin dot. U ula që t’i shpjegoja paketën e Rezistencës Sociale për të kuptuar se çfarë e rëndon buxhetin e tyre.

Më tha nuk përdor sheqer se jam me diabet. E pyeta për miellin, më tha vetëm kur vjen ti se nuk i përdorim brumërat. Më tha përdor vaj ulliri se është më i mirë. Më tha më rëndon qumështi se e kemi të domosdoshëm për kockat. Çmimi i qumështit është rritur thuajse me 100%. Më rëndon kosi tha, më rëndon djathi, më rëndon veza që i ka shkuar çmimi nga 300 lekë nga 130 lekë. Më rëndon çmimi i vicit dhe i pulës. Po të dëgjosh ata që janë më nevojtarët, të moshuarit, të adresojnë tek ky grup mallrash”, tha Braçe.