Përfundon 'Odiseja' e Unazës së Re, shpallet fituesi për Lotin e parë

28 Tetor 2019, 17:08

TIRANË- Me ofertën e bërë me vlerë 1.77 miliardë lekë, bashkimi i kompanive “Salillari” dhe “Bajrami N” ka arritur të shpallet fitues në tenderin për ndërtimin e Lotit të Parë të Unazës së Re Tiranë. Fondi limit në këtë segment ishte 2.25 miliardë lekë.

Pas një “odiseje”, që nisi me anulimin e tenderit të parë, ku ishte shpallur fitues bashkimi i kompanive “DH Albania” dhe “BibaX”, por rezultoi se ishin falsifikuar dokumentat, gara u rihapNë të morën “2 T” SHPK & “G.P.G COMPANY”;  “ALB-BUILDING” SHPK & “EUROTEOREMA” SHPK & “LIQENI VII” SHA & “COMMUNICATION PROGRES”;  “CURRI” SHPK + “ALBA KONSTRUKSION” SHPK;  “GENER 2”;  “GJOKA KONSTRUKSION” sha  & “SHANSI INVEST” shpk;  “SALILLARI” SHPK & “BAJRAMI N”; “VEGA” SHPK & “ALKO IMPEX GENERAL CONSTRUCTION” dhe  “VELLEZERIT HYSA” SHPK. 

Gjatë tenderimit, u skualifikuan “2 T” SHPK & “G.P.G COMPANY”; “ALB-BUILDING” SHPK & “EUROTEOREMA” SHPK & “LIQENI VII” SHA & “COMMUNICATION PROGRES” SHPK; “GENER 2” dhe “GJOKA KONSTRUKSION”

Tenderi për “Lotin 1” u hap për herë të tretë më 14 qershor dhe u mbyll më 22 korrik. Në tenderin e dytë nuk u plotësuan kriteret nga asnjë kompani, ndërsa në të tretin u vendos që projekti të ndryshohej nga rrethrrotullim me nënkalime dhe mbikalime, në kryqëzim me nënkalime.

Fillimisht Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) i skualifikoi dy kompanitë Salillari dhe Bajrami N për mungesa në plotësimin e kritereve, por më 23 gusht kompanitë ankimuan vendimin dhe përfundimisht ka qenë Komisioni i Prokurimit Publik që u ka dhënë atyre të drejtë, duke vendosur përfundimisht të japë OK në favor të tyre. Sot është zbardhur edhe vendimi i Komisionit, që zyrtarizon shpalljen e fituesit.

Tanimë, hapet përfundimisht rruga për ndërtimin e këtij loti dhe gjithë Unazës së Re në pjesën e saj perëndimore.