Përgjime nga policia pa leje, deputetja Xhina për Report Tv: S'duhet të dalin nga dora e prokurorit

27 Maj 2020, 13:57

TIRANE-Deputetja Elena Xhina në një intervistë për Report Tv shpjegoi se përse është kundër nismës për ndryshimin e ligjit, që i jep të drejtë policisë që të përgjojë pa lejen e prokurorisë. Relatorja Xhina shpjegoi arsyet se përse është kundër miratimit të këtyre ndryshimeve. Sipas saj, ligji ka mbivendosje kompetencash dhe lë dyshime për keqinterpretime.

"Unë kam qenë kundër ligjin në policinë e shtetit për përgjimet, pasi preken aspektet të jetës personale të individit. Unë kam shfaqur kundërshtime, ligji ka nevojë për rregullime.

Duhet një sqarim i madh sepse si është formuluar të lë të nënkuptosh se mund të abuzohet, se kur formulohet, bëhet me qëllim afatgjatë, jo për t'i shërbyer një qeverie apo ministri, për të lënë dyshime për keqinterpretime. Kemi insistuar si komision sigurie që të mos ketë mbivendosje të kompetencave.

Përgjimi tani kryhet nga policia prej shumë vitesh dhe ka për qëllim parandalimin e krimit. Përgjimi procedural me atë parandalues është ngatërruar. Ai procedural është në dorën e prokurorit që shërben si provë në gjykatë.

Ndërsa ne në këtë ligj flasim për përgjim parandalues nga policia por nuk shërben si provë në gjykatë dhe prokurori, por edhe këto përgjime kontrollohen nga prokurori dhe nuk duam të dalë nga dora e prokurorit. Prokurori është garanci ligjore.  

Nuk mundet që cdo person që shihet i dyshuar të vihet në përgjim, apo edhe ndarjen e veprave penale apo cilat dyshohet autori dhe cilat kategori. Ministri pretendoi se në gjithë Europën janë këto modele. Ligji që është aktualisht për policinë është i plotësuar shumë dhe nuk ka nevojë për këto ndryshime, ndoshta për termat e reja, por kuadrin ligjor e ka të plotësuar. Përgjimi parandalues rregullohet me ligj të vecantë dhe është rregulluar shumë mirë" tha ajo.