Shkon në Parlament plani për përgjime nga policia pa lejen e prokurorisë, rrezik për të drejtat e njeriut, ndryshimet ligjore pa pyetur SHBA-BE

Ka shkuar në Parlament plani që kalon përgjimet në duart e policisë, duke nxjerrë jashtë loje prokurorinë. Plani kërcënon të drejtat e njeriut në Shqipëri, pasi krijon hapësirat që policia të kthehet në një instrument nga pushteti i radhës, për të përgjuar dhe shantazhuar këdo për interesa të caktuara, pa një institucion të pavarur kontrollues. Nisma ligjore ndryshon nenin 131 të ligjit aktual për Policinë e Shteti, duke i dhënë kompetencë policisë, pa marrë leje tek prokuroria, të përgjojë bisedat e personave në ambiente publike, në mjete të transportit publik si dhe bisedat telefonike.

Gjithashtu policia mund të mbikëqyrë në mënyrë të fshehtë personat e dyshuar për kryerjen e veprimtarive kriminale si dhe të përdorë pajisje teknike për fotografimin, filmimin ose me video të personave në vende publike dhe përdorimin e pajisjeve gjurmuese të vendndodhjes së personave. Me këtë ndryshim, nëse miratohet nga Parlamenti, policia mund të përgjojë, survejojë fotografojë dhe filmojë në mënyrë të fshehtë këdo dhe kudo, me urdhër të titullarit të policisë, me pretendimin se dyshohet se po planifikon të kryejë në krim. Titullarët e policisë janë persona politikë, pasi varen nga ministri i Brendshëm.

Neni 31 i ligjit në fuqi për Policinë e Shtetit, parashikon që, për të gjitha këto veprime, policia duhet të marrë autorizimin nga prokurori. Ky kusht nuk është vendosur rastësisht, por për të mbyllur hapësirat për abuzim të mundshëm apo përdorim politik të policisë, për të përgjuar dhe shantazhuar persona të ndryshëm, me justifikimin e planifikimit për të kryer ndonjë krim. Kjo është arsye sepse gjatë shqyrtimit të kësaj nisme, disa deputetë kanë dhënë alarmin për pasojat e kësaj nisme, e cila i hap rrugë minimit të të drejtave të njeriut në Shqipëri.

Dyshimet rreth kësaj nisma shtohen në kushtet kur në relacionin e projektligjit mungon përshkrimi i procesit të hartimit të këtij projektligji. Në relacion nuk jepet asnjë e dhënë për konsultat. Për herë të parë mungon mendimi misioneve të SHBA-BE, EURALIUS dhe OPDAT, misione të cilat asistojnë autoritetet shqiptare gjatë ndryshimeve ligjore, për të sjellë ligjet në një linjë me standardet më të mira ndërkombëtare dhe direktivat e BE-së.

Në relacionin e projektligjit nuk pasqyrohet as opinioni i prokurorisë, të cilës i hiqet kompetenca e autorizimit të përgjimeve. Po ashtu, Kodi i Procedurës Penale parashikon qartësisht se përgjimet bëhen vetëm me kërkesë të prokurorit. Nisma ligjore që ndryshon procedurat e përgjimit bie ndesh me rregullat e parashikuara në Kodin e Procedurës Penale për përgjimet.

Neni 131 i ligjit për policinë është: 

Masa të veçanta
1. Kur në bazë të të dhënave që disponohen dyshohet se një person ka kryer një vepër penale ose po planifikon apo po organizon që të kryejë një krim dhe kjo veprimtari nuk mund të zbulohet ose të parandalohet në rrugë e mënyra të tjera, në përputhje me legjislacionin në fuqi, punonjësi i policisë me gradën “Kryekomisar” ose më lart, sipas juridiksionit lëndor, kërkon
autorizimin nga prokurori për të marrë masat e mëposhtme:

a) përgjimin e fshehtë ambiental dhe procedural të bisedave të personave në vende publike ose në mjete transporti;

b) përgjimin e fshehtë të bisedave telefonike ose telekomunikimeve të personave, në përputhje me legjislacionin përkatës;

c) përdorimin e pajisjeve teknike për fotografim, regjistrim audio ose video, në përputhje me legjisla-cionin përkatës.

2. Përdorimi i masave të veçanta, sipas pikës 1, të këtij neni, lejohet për aq kohë sa ekzistojnë arsyet ose rrethanat që kanë bërë të nevojshëm autorizimin e tyre për përdorim veçmas ose të kombinuar dhe zgjat sipas afateve të vendosura në legjislacionin përkatës.

3. Kur referimi i veprës penale, për të cilën janë përdorur masat e veçanta, nuk bëhet brenda gjashtë muajve pas përfundimit të përdorimit të masave të veçanta, të parashikuara në këtë nen, i gjithë informacioni i mbledhur si rezultat i përdorimit të këtyre masave asgjësohet, sipas rregullave të përcaktuara nga Drejtori i Policisë së Shtetit.

4. Kur në vende të veçanta kryhen në mënyrë të përsëritur përgjime ambientale procedurale, me autorizim të Prokurorit të Përgjithshëm dhe në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, strukturat e policisë ndërtojnë impiante stacionare të përgjimit ambiental.

5. Rregullat teknike për realizimin e vendimit të përgjimit ambiental procedural dhe parandalues, si dhe për ndërtimin dhe shfrytëzimin e impianteve stacionare të përgjimit ambiental përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit dhe Prokurorit të Përgjithshëm.

Neni 131 i ligjit për policinë bëhet  
Masa të veçanta
1. Gjatë veprimtarisë informative-gjurmuese ose të një procedimi policor, me qëllim parandalimin dhe zbulimin e veprave penale të autorëve të tyre, Policia e Shtetit përdor këto masa të veçanta:
a) Përgjimin ambiental të bisedave të personave në ambiente publike, si dhe në mjete të transportit publik;
b) Përdorimin e pajisjeve teknike për fotografimin, filmimin ose me video të personave në vende publike dhe përdorimin e pajisjeve gjurmuese të vendndodhjes;

c) Përgjimin e bisedave telefonike ose telekomunikimeve, që rregullohet me ligj të veçantë;

ç) Mbikëqyrjen e fshehtë të personave të dyshuar për kryerjen e veprimtarive kriminale.

2. Përdorimi i masave të veçanta, të parashikuara në shkronjat “a”, “b” dhe “ç”, të pikës 1, të këtij neni, bëhet me vendim të miratuar nga titullarët e strukturave të policisë, në nivel drejtorie qendrore e vendore.

3. Afati i përdorimit të masave të veçanta, të parashikuara në shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të pikës 1, të këtij neni, nuk mund t’i kalojë 3 (tre) muaj. Kur këto masa përdoren për kryerjen e veprimtarisë informative-gjurmuese ose gjatë procedimit policor, me qëllim parandalimin dhe zbulimin e krimit të organizuar apo të krimeve të rënda, me kërkesë të drejtuesit të strukturës policore përkatëse, afati i përdorimit mund të zgjatet vetëm 1 (një) herë me 3 (tre) muaj të tjerë.

4. Rregullat dhe procedurat që zbatohen për përdorimin e masave të veçanta, të parashikuara në shkronjat “a” e “b”, të pikës 1, të këtij neni, përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike, të Prokurorit të Përgjithshëm dhe të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

5. Ministri përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike, Prokurori i Përgjithshëm dhe drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mund të kontrollojnë, në çdo kohë, zbatimin e rregullave dhe të procedurave të parashikuara në udhëzimin e përbashkët të përcaktuar në pikën 4, të këtij neni.

Projektligji

/I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Kasem: 22/05/2020 04:40

    Nuk gjenin OPDAT, EURALIUS apo te tjere organizma nderkombetare si OSBE etc., pasiqe eshte nje projekt ideuar nga ish Ministria e Puneve te Brendshme. Ose me sakte, "mentoret" e shkolluar te MPB me ne krye krye ideatorin Minister. Kjo enkrhen policine nga shinat e lifjit, procedures, ne represive, polici te fshehte apo sekrete si para 90 (gjurmuese). Pra qe pa autorizimin apo drejtimin nga prokurori, policia te mban gjithe jeten nen "hetim policor" duke te pergjuar e mbikqyrur per shtate pale qefe. Teatri eshte hicgje para keti atentati kushtetues!!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Dy ish-kunatat, Nora Istrefi e Tuna bëhen bashkë, këndojnë mbi arkivol 'My love' (VIDEO)

Dy ish-kunatat, Nora Istrefi e Tuna bëhen bashkë, këndojnë mbi arkivol 'My love' (VIDEO)