Përleshje, grushte e ndjekje! Zbardhet sherri dje për gjobën në Korçë që solli plagosjen e policit, autori: Provoje dhe njëherë po s'të vrava

25 Prill 2020, 19:14

Zbardhen detaje të tjera rreth konfliktit dje në Korçë, ku efektivi i policisë Spartak Zotka, u qëllua me thikë nga një banor i këtij qyteti, i cili quhet Ilirjan Fama. Ky i fundit ishte gjobitur në datën 4 prill 2020 me 100 mijë lekë të vjetra gjobë pasi u kap duke lëvizur pa autorizim dhe kjo masë administrative, ishte vendosur pikërisht nga punonjësi i policisë së Korçës, Spartak Zotka. Mirëpo Zotka, 20 ditë pas vendosjes së gjobës ndaj Ilirjan Fama, në datën 24 prill 2020 ka konstatuar sërisht këtë të fundit, teksa po qëndronte në një stol në qendër të qytetit, në vendin e quajtur “Kulla”. Ilirjan Fama, sapo ka parë efektivin e policisë ka filluar ti flasë duke i thënë fjalët “…provoje dhe një herë të më vësh gjobë, po s'të vrava…” dhe është ngritur nga stoli dhe ka shkuar në drejtim të punonjësit të policisë.

Sapo i është afruar dhe pa i folur fare, ai direkt e ka goditur në pjesën e fundit të qafës me një thikë të vogël. Si pasojë e këtij konfrontimi fizik mes punonjësit të policisë dhe Ilirjan Famës, personat që ishin të pranishëm në qendër htë Korçës, kanë ndërhyrë duke përpjekur ti ndajnë, dhe në fakt kanë arritur të shmangin konfliktin. Mirëpo Ilirjan Fama, ka vrapuar në drejtim të teatrit të Korçës, ndërkohë që është ndjekur nga punonjësi i policisë.