Përplasja për Kushtetuesen/ 'Venecia' në shkurt në Tiranë pas kërkesës së Kuvendit, Presidenca: Jeni të mirëpritur

8 Janar 2020, 17:58

TIRANE-Presidenca mirëpret zbarkimin e delegacionit të Komisionit të Venecias në Shqipëri pas kërkesës së Kuvendit për të dhënë një opinion lidhur me përplasjen mes Kreut të Shtetit dhe KED-së për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. "Venecia, gjithmonë e mirëpritur në Shqipëri!" shkruan zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi.

Në datë 30 Dhjetor të vitit të kaluar, pra pak ditë më parë Komisioni i Venecias njoftoi në faqen zyrtare se e ka pranuar kërkesën e Kuvendit të Shqipërisë. "Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë bëri një kërkesë për një opinion për emërimin e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese" thuhet në faqen zyrtare të Komisionit të Venecias.

Në Shqipëri delegacioni pritet që të vijë në fillim të muajit shkurt. Ndërkohë që edhe Presidenti i Republikës ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Komisionit të Venecias në lidhje me shkeljet kushtetuese të Kuvendit të Shqipërisë, në procesin e zgjedhjes së anëtareve të Gjykatës Kushtetuese.

Theksojmë që përplasja institucionale mes Presidentit Meta dhe kryetarit të KED-së Dvorani përfundoi në SPAK.  Socialistët pretendojnë se kreu i shtetit shkeli Kushtetutën me mosdekretimin e Arta Vorpsit si anëtare të Gjykatës Kushtetuese dhe dekretimin e Marsida Xhaferllarit.