Më 9 qershor të këtij viti, pas 9 orësh seancë në lidhje me legjitimitetin e zgjedhjeve vendore të 2019, Gjykata Kushtetuese vendosi të pezullojë gjykimin për këtë çështje dhe t’i drejtohet Komisionit të Venecias për një opinion, ku pyetja kryesore ishte nëse e ka kompetencën e vlefshmërisë së procesit zgjedhor apo jo. Më 1 tetor Komisioni i Venecias ka përgatitur një draft, ku në thelb nënvizon se Kushtetuesja nuk e ka këtë kompetencë.
Komisioni i Venecias është i mendimit se këshilltarët dhe kryetarët e bashkive janë "funksionarë të organeve të parashikuara në Kushtetutë" në kuptimin e nenit 131 (1) e) të Kushtetutës. Megjithatë, kompetenca e Gjykatës Kushtetuese nuk përfshin shqyrtimin e vlefshmërisë së zgjedhjeve vendore. Kjo nuk e pengon Gjykatën Kushtetuese të ushtrojë kontrollin e saj mbi legjislacionin zgjedhor.