Përplasje me armë për një vajzë në Shijak, arrestohet “ish-i” përndjekës

23 Mars, 12:10 | Përditesimi i fundit: 2024-03-23 13:59:44

Policia e Durrësit arrestoi njërin prej vëllezërve Domi, i përfshirë në konfliktin me armë zjarri në Shijak ku mbeti i plagosur aksidentalisht, Enidor Dedja, mesditën e së premtes, 22 mars.

Report Tv mëson se gjatë sherrit është qëlluar nga të dyja palët me armë, si nga autori i ngjarjes, Arbër Hoxha, ashtu edhe nga Domi. Hetuesit e Sektorit të Krimeve të Rënda në Durrës i kanë gjetur në shtëpi pistoletën, e cila është sekuestruar dhe për pasojë në pranga ra Albano Domi.

Mësohet së në vendngjarje kanë mbërritur 2 persona, Arbër Hoxha me një tjetër, të shpallur tashmë në kërkim, dhe fillimisht debati ka nisur me fjalë dhe janë kapur me duar, por të dyja palët kanë nxjerr pistoletat dhe kanë qëlluar, duke u plagosur Enidor Dedja. Konflikti e ka zanafillën më herët dhe shkak është bërë një vajzë me të cilën ka qenë e lidhur për 4 vjet Albano Domi, por që ishte ndarë rreth një muaj më parë.