EURALIUS dhe OPDAT kanë refuzuar të japin opinion në lidhje me rastin e mandatit të Ardian Dvoranit, pas kërkesë së KLGJ për të marrë opinion nga ndërkombëtarët.
Ata shprehen se kjo çështje nuk zgjidhet me opinione por duhet një vendim i Këshillit të Lartë Gjyqësor. Report Tv ka mësuar se mbledhja e KLGJ do të mbahet ditën e nesërme.
Përplasja mes Presidentit Ilir Meta dhe kreut të KED, Ardian Dvorani lidhur me mandatin e tij ka bërë që Këshilli të Lartë Gjyqësor më 5 maj 2020 të kërkojë opinion nga EURALIUS dhe OPDAT. Por në përgjigjen e tyre ata shprehen se "kërkesa rrjedh nga nevoja për të adresuar një çështje individuale dhe se nuk japin opinione në të tilla situata".
"Duke u nisur nga shkresa dhe informacioni që na dërguat, kuptojmë që kërkesa juaj rreth nga nevoja për të adresuar një çështje individuale, në këtë kontekst, Misioni Euralius V dhe Projketi i USAID-it Drejtësi për të gjithë në Shqipëri janë të detyruar të theksojmë se ndonëse ne jemi të përgatitur të ofrojmë asistencë teknike për Këshillin, jo vetëm si një çështje parimore, por dhe praktikash të përcaktuara qartë, ne nuk japim opinione për çështje individual, pasi kjo është përgjegjësi ekskluzive e këshillit", shkruhet në letrën që EURALIUS i ka dhënë KLGJ-së.
Në mbledhjen e 5 majit 2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor, pas shqyrtimit të kërkesës së Presidentit Meta, për largimin nga detyra të kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani dhe shpjegimit të Dvoranit të arsyeve pse do të qëndrojë në detyrë, vendosi që për këtë çështje të kërkonte opinion nga EURALIUS dhe OPDAT.