Përroi i Qesarakës në Linzë "pushtohet" nga mbetjet, koshat janë vetëm 100 metër larg

25 Maj 2020, 13:53 | Përditesimi i fundit: 2020-05-25 15:33:58

Report TV vijon vëzhgimin për ndotjen e lumenjve. Gazetari Arsen Rusta ishte sot në Përroin e Qesarakës në Linzë, vetëm pak kilometra larg qendrës urbane të Tiranës, ku pamjet lënë shumë për të dëshiruar.

Zona mund të ishte shumë mirë një park me gjelbërim, por për fat të keq në vend të saj janë mbetje të ndryshme plastike dhe organike.  Ironia është se vetëm 100 metër larg këtij përroi janë koshat e plehrave.

Grumbullimi i mbetjeve është krijuar nga vetë banorët, të cilët duke mos përdorur koshat kanë gjetur një rrugë më të shkurtër, i hedhin ato në përrua.

Mbetjet e grumbulluara në përrua futen në tubat e kullimit dhe dalin në lumin e Babrroit dhe prej andej në lumin e Tiranës.

Prej 4 majit ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka paralajmëruar një operacion për të ndëshkuar të gjithë ndotësit. Por pyetja që lind është se kush do t'i pastrojë këto mbetje? Institucionet luajnë ping-pong me njëra tjetrën duke mos e marrë askush përgjegjësinë.

Pas kronikave denoncuese në Report TV se basenet e lumit Tirana, Ishëm, përroit të Arbanës ishin mbushur me mbetje spitalore, plastik dhe inerte prokuroria e Tiranës nis hetimin dhe kërkon me shkresë urgjente nga pushteti lokal përgjigje. Kush i ka hedhur mbetjet? Sa herë janë kontrolluar lumenjtë? Përse nuk janë pastruar sipas pamjeve të transmetuara në media? Janë këto pyetjet e prokurorisë drejtuar zyrave të pushtetit lokal në të cilat kalojnë këto lumenj.