TIRANË- Pas kronikave denoncuese në Report Tv se basenet e lumit Tirana, Ishëm, përroit të Arbanës ishin mbushur me mbetje spitalore, plastik dhe inerte prokuroria e Tiranës nis hetimin dhe kërkon me shkresë urgjente nga pushteti lokal përgjigje.

Kush i ka hedhur mbetjet? Sa herë janë kontrolluar lumenjtë? Përse nuk janë pastruar sipas pamjeve të transmetuara në media? Janë këto pyetjet e prokurorisë drejtuar zyrave të pushtetit lokal në të cilat kalojnë këto lumenj.

Report Tv prej ditësh ka ndjekur situatën e ndotjes së lumenjve ku edhe pse është paralajmëruar një mega-operacion nga Ministria e Brendshme ende s'ka asnjë veprim konkret në terren për të nisur nga pastrimi.

Veç plastikës që dominon në këto basene, nuk mungojnë mbetjet spitalore dhe ato inerte si në basenet e këtyre lumenjve ashtu edhe në grykëderdhjen e Adriatikut, në plazhin Adriatik dhe kepin e Rodonit.

Ky hetim vjen pas kronikave të transmetuara prej disa ditësh në Report Tv, situatë të cilën ne po e ndjekim prej ditësh. Prokuroria e Tiranës ka angazhuar dy prokurorë dhe katër oficerë të policisë gjyqësore për ndjekjen e kësaj situate.

Më herët, Report Tv zbardhi raportin se si përgjatë një viti s'kishte asnjë hetim apo procedim penal për trajtimin e mbetjeve përfshi dhe ato spitalore të hedhura në basenet e lumenjve.